NATO ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që ta ndalojë menjëherë pushtimin, dhe Bjellorusisë që t’i japë fund bashkëpunimit me Rusinë. Në deklaratën e përbashkët të aleancës, pas takimit të së enjtes, thuhet se “retorika eskaluese e presidentit Putin është e papërgjegjshme dhe destabilizuese”.
Ka shtuar se çdo përdorim i armëve kimike dhe biologjike nga Rusia do të jetë i papranueshëm dhe se “rezulton në pasoja të rënda”. Liderët kanë thënë se do të punojnë që të mbajnë përgjegjës ata që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare, përfshirë krime të luftës”.
Shtetet anëtare janë pajtuar që të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën, si mbështetje politike ashtu edhe praktike gjatë luftës me Rusinë. Po ashtu, janë pajtuar ta ndihmojnë në fushën e sigurisë kibernetike dhe kundër kërcënimeve të natyrës kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore. Duke shprehur shqetësim për rrezikun e dhunës seksuale dhe trafikimit të ukrainasve, i kanë bërë thirrje Rusisë që të sigurojë kalimin humanitar për civilët që të largohen nga Ukraina.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur pas samitit të jashtëzakonshëm.
- Ai ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës është “kriza më e madhe e sigurisë në gjeneratë” dhe se NATO “qëndron e bashkuar për ta mbrojtur aleancën dhe popujt të sigurta”
- Stoltenberg ka thënë se NATO-ja është pajtuar të shtojë forcat mbrojtëse duke lëvizur 40 mijë trupa në krahun lindor si përgjigje ndaj Rusisë
- Ai ka konfirmuar dërgimin e njësive ushtarake në Sllovaki, Hungari, Bullgari e Rumani
- Stoltenerg po ashtu ka thënë se po forcohet mbrojtja kibernetike dhe se NATO-ja do ta ndihmojë Ukrainën ta mbrojë veten kundër kërcënimeve “biologjike, radiologjike e bërthamore”
- Ai ka thënë se përdorimi i armëve kime “do ta ndryshojë natyrën e konfliktit” dhe se “është shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare dhe do të ketë pasoja të gjera”
- Pushtimi nga Putini ka ndryshuar sigurinë në terma afatgjatë dhe se NATO-ja është e përgatitur
“Ne jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për të shkatërruar themelet e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Ne po mbajmë përgjegjëse Rusinë dhe Bjellorusinë. Rusisë i janë vendosur sanksione masive dhe kosto të rënda politike për t'i dhënë fund kësaj lufte”, thuhet në deklaratë.
Shtetet e NATO-s kanë bërë thirrje që ta mbrojnë rregullin ndërkombëtar që përfshinë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të ruhen nga mbështetja e Rusisë në çfarë forme, ndërsa këtu është përmendur Republika Popullore e Kinës.
NATO ka njoftuar se ka aktivizuar planet e mbrojtjes së saj, ka dërguar trupa në kufijtë në lindje dhe se ka aktivizuar katër njësitë ushtarake në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.
Edhe
Stoltenbergu thotë se NATO-ja s’duhet të ndalet së ndihmuari Ukrainën për shkak të fjalëve të Putinit
“Ne po marrim të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradëshe. Masat tona mbeten parandaluese, proporcionale dhe jo-përshkallëzuese. Tani do të përshpejtojmë transformimin e NATO-s për një realitet strategjik më të rrezikshëm, duke përfshirë miratimin e Konceptit të ardhshëm Strategjik në Madrid”.
Për shkak të kërcënimit të sigurisë euro-atlantike, NATO-ja thotë se do ta forcojë ndjeshëm qëndrimin afatgjatë të parandalimit dhe të mbrojtjes dhe zhvillimin më tej të forcave të gatishmërisë dhe kapaciteteve të nevojshme. “Këta hapa do të mbështeten nga ushtrime të shtuara me një fokus të shtuar në mbrojtjen kolektive”.
NATO ka thënë se do të forcojë kapacitetet individuale dhe kolektive për t’i rezistuar çfarëdo forme të sulmit.