Botë

Natasha Pirc Musar zgjidhet presidente e Sllovenisë

Natasha Pirc Musar është zgjedhur presidente e Sllovenisë të dielën, duke marrë 53.89 për qind të votave, sipas rezultateve preliminuare të Komisionit Zgjedhor, raportoi “Rtvslo”.

Musar u bë presidentja e parë grua e Sllovenisë, derisa kundërkandidati i saj, Anzhe Logar, deri më tani ka 46.11 për qind të votave.

Ndonëse ende nuk ka përfunduar numërimi i votave, rezultati nuk pritet të pësojë ndryshim. Pirc Musar ka marrë urime nga liderë të vendeve të ndryshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia uroi fitoren, duke u shprehur se “mezi pres të punoj ngushtë me ju për të ndërtuar partneritetin e palëkundur Kosovë-Slloveni”.

Kryeministri Albin Kurti e uroi gjithashtu fituesen, duke thënë se mezi pret që t’i thellojnë bashkëpunimet për ekonomi dhe për t’i “promovuar vlerat tona të përbashkëta, si shtete demokratike të përkushtuara për sundim të ligjit”.

"Unë do të jem presidente e të gjithëve. Do të bëj maksimumin që të gjithë ne të bashkohemi në politikë për çështje strategjike. Në zgjedhjet demokratike njerëzit thanë se çfarë Sllovenie duan. Të dashur qytetarë, do të hyjë me krenari në pallatin presidencial me besimin që më keni dhënë. Do të bëj çmos që të jem presidente e të gjithëve", u shpreh ajo në fjalën e parë pas publikimit të rezultateve.

Natasha Pirc Musar do ta marrë zyrtarisht mandatin më 22 dhjetor, për pesë vjetët e ardhshme.