Botë

Misteri i britanikes që u zhduk nga një jaht luksoz në Ishujt e Virgjër të SHBA-së

Misterioz - zhdukja

Britanikja Sarm Heslop u zhduk në mënyrë misterioze nga një jaht luksoz në Karaibe në mars të vitit 2021. E dashura e një kapiteni amerikan u pa për herë të fundit duke u kthyer në jaht pas një mbrëmjeje në ishullin St. John. Pavarësisht kërkimeve, trupi i saj nuk është gjetur kurrë, ndërsa rrethanat e zhdukjes mbeten të paqarta dhe të dyshimta. Familja e saj ende kërkon drejtësi dhe të vërtetën për atë që ndodhi atë natë

Çifti, dorë për dore, ecën në një strukturë prej druri buzë ujit, pasi kishin kaluar një mbrëmje në një bar në ishullin St. John në Ishujt e Virgjër të SHBA-së. 

Ata shihen duke hipur në një varkë të vogël dhe duke u larguar në errësirën e Detit Karaibe, drejt jahtit të tyre luksoz, i ankoruar në gjirin tjetër.

Këto janë pamjet nga kamerat e sigurisë që nuk janë bërë publike më parë dhe tani janë publikuar ekskluzivisht nga BBC-ja dhe përmbajnë momentin e fundit të regjistruar të britanikes Sarm Heslop.
Rreth gjashtë orë më vonë, ajo do të raportohej e zhdukur, me frikën se kishte humbur në det.

I dashuri i saj në atë kohë, Ryan Bane, thotë se ajo me shumë mundësi ka rënë në det ose është mbytur duke notuar, ndërkohë që ai ishte duke fjetur.

Ai nuk është marrë kurrë në pyetje zyrtarisht nga policia.

Edhe pse u organizua një kërkim i madh, trupi i Sarmit nuk është gjetur kurrë dhe zhdukja e saj mbetet një mister.

Në kërkim të së vërtetës, gazetari i BBC-së kaloi një muaj në Ishujt e Virgjër Amerikanë duke hetuar rastin për një dokumentar të BBC Three – duke folur me policinë që udhëhoqi hetimin, rojën bregdetare dhe dëshmitarë të mundshëm.

E përshkruar nga miqtë e saj si një “shpirt i lirë”, Sarm, një ish-stjuardesë, u largua nga Britania në vitin 2019 për të lundruar në Atlantik me miqtë në një varkë të vogël.

“Ajo ishte gjithmonë gati për një aventurë të re. Për Sarmin ishte krejtësisht normale të bënte gjëra të çuditshme”, thotë shoqja e saj Zan.

E shoqëruar nga shoqja e saj Kate dhe i dashuri i saj, Sarm udhëtoi drejt Karaibeve  duke vizituar St. Lucia, Guadeloupe, Dominica dhe Martinique.

Shtatë muaj pas nisjes së udhëtimit, Sarm u njoh me Ryan Bane, 49 vjeç, një kapiten amerikan që ofronte me qira katamaranin e tij “Siren Song” për turistë të pasur.

Ata filluan të dilnin bashkë, Sarm u vendos në jahtin e Baneit dhe pas tre muajsh lidhja u bë më serioze. Sarm vendosi të punonte si kuzhiniere në jaht, dhe më 7 mars 2021 përfundoi kontratën e saj të parë.

Po atë natë, ajo u zhduk- duke lënë pas pasaportën, telefonin dhe paratë. Ajo ishte 41 vjeçe.
Teksa miqtë dhe familja e Sarmit janë përpjekur ta mbajnë rastin në vëmendjen e mediave dhe kanë angazhuar një hetues privat për ndihmë, nëna e saj Brenda thotë se e ka pranuar se vajza e saj ka vdekur.

Por shpresa për të zbuluar çfarë ndodhi është ajo që i mban gjallë.

“Nuk kemi mundur ende të vajtojmë siç duhet. Të gjithë meritojmë të dimë çfarë i ndodhi dhe ta kthejmë në shtëpi. Është kaq, kaq e padrejtë”, thotë Brenda.

Një pjesë kyç e provave që gazetari i BBC-së donte t’i shihte ishte videoja e kamerave të sigurisë, që tregonte pamjen e fundit të regjistruar të Sarmit, të cilën policia nuk e kishte publikuar më parë.

Kështu që, kur shefi i policisë së ishujve, Steven Phillip, ia dha lejen, mbeti i befasuar.

“Jemi në një ngërç”, pranoi Phillip. “Nëse dikush e sheh këtë video dhe vëren diçka, mund të ndihmojë. Prandaj tani po e publikojmë”.

Nëna e Sarmit e kishte parë më parë një pjesë të vogël të videos, por miqtë e saj nuk e kishin parë fare. Ata shpresonin se mund të dallonin diçka në mënyrën si çifti silleshin me njëri-tjetrin atë natë, që mund të sillte ndonjë përgjigje.

Por kur gazetari ua tregoi videon - të mbledhur rreth një tavoline në kuzhinë, ata pranuan se, përveç faktit që ajo shihej duke hipur në varkë, pamjet nuk tregonin shumë - dhe mund të interpretoheshin në mënyra të ndryshme.

Por gazetari i BBC-së vuri re një mospërputhje me orën e shënuar në video.

Në raportet e publikuara nga Rojat Bregdetare të SHBA-së, Bane kishte thënë se çifti ishte kthyer në jaht në orën 22:00, me orën lokale.

Por ora në pamjet filmike, të cilën policia thotë se e ka konfirmuar si të saktë, tregon se ata janë larguar me varkën nga struktura e varkave të vogla në Cruz Bay në orën 20:45, me orën lokale.
Duke qenë se edhe vetë gazetari e ka bërë këtë rrugë, e dinte që duhet rreth pesë deri në dhjetë minuta me varkë për të arritur në gjirin tjetër, pra ata do të kishin mbërritur në jaht rreth orës 21:00.

Kjo do të thotë se ekziston një orë e humbur që Bane nuk e ka shpjeguar kurrë.

“Koha e ngjarjes është e dyshimtë, dhe kjo është një nga arsyet pse duhet të flasim me Ryanin”, thotë komisioneri i policisë së Ishujve të Virgjër Amerikanë, Mario Brooks.

Por avokati i Banet, David Cattie, tha se ky përshkrim i kronologjisë ishte “i papërgjegjshëm”.

Komisioneri Brooks tha se Bane mbetet personi i vetëm me interes në këtë rast.

“Nuk kishte… asnjë provë që të tregonte se Sarm kishte kontakt me dikë tjetër atë natë, përveç Ryanit”, tha ai.

Ndërkohë që Bane nuk ka folur kurrë publikisht për këtë çështje, avokati i tij pranoi të intervistohej për herë të parë në emër të klientit të tij.

Kur u pyet se çfarë ndodhi kur Sarm u zhduk, David Cattie tha se Bane beson se ndoshta Sarm goditi kokën dhe ra në det, ose u hutua gjatë notit, humbi drejtimin dhe u mbyt.

Sipas tij, mospërputhja në kohë atë mbrëmje nuk tregon asgjë tjetër veçse një gabim të mundshëm në vlerësimin e orës, në kushte stresi, teksa po përpiqej të gjente të dashurën e tij të zhdukur.
Bane ka thënë se e kuptoi që Sarm mungonte në orën 02:00 të mëngjesit, me orën lokale.

Por veprimet e tij pas kësaj janë vënë në pikëpyetje nga të gjithë kapitenët e anijeve dhe ekspertët me të cilët gazetari i BBC-së ka folur.

Në atë kohë, në Frank’s Bay ishin ankoruar edhe dy varka të tjera. Ai kontaktoi kapitenët e të dyjave, të cilët konfirmuan se Bane nuk i kishte lajmëruar për ndonjë problem, as atë natë, as mëngjesin tjetër.
Ata gjithashtu thanë se kapitenët trajnohen që në raste të tilla të thërrasin me zë të lartë emrin e personit të zhdukur, të japin një sinjal “mayday”, të kontaktojnë menjëherë rojën bregdetare dhe të njoftojnë varkat përreth.

Avokati Cattie pranon se zoti Bane nuk bëri gjithçka që “mund të thuash se një kapiten duhet patjetër ta bëjë”.

“Por nuk jemi këtu, sepse dikush thotë, ‘Ryan nuk ndoqi të gjitha rregullat e kapitenit’. Jemi këtu, sepse disa po sugjerojnë se ai kishte një rol në zhdukjen e saj. Nuk ka asnjë provë për këtë, fare”.

“Çdo minutë ka rëndësi”

Gazetari i BBC-së arriti të sigurojë një kronologji nga policia dhe raportet e rojës bregdetare të SHBA-së që mbulojnë orët pasi Sarm u raportua e zhdukur.

Bane tha se ishte zgjuar kur dëgjoi alarmin e spirancës, i cili bie nëse varka po largohet nga vendi i ankorimit dhe kuptoi se Sarm nuk ishte më në jaht.

Në orën 02:44 me orën lokale - pasi i kishte telefonuar policisë 10 minuta më herët, Bane dha një deklaratë të shkurtër kur mbërriti në tokë me varkën e tij të vogël.

Por nga ky moment, rrëfimi i Bane ndryshon nga ai i policisë.

Avokati i tij tha se policia ia kishte dhënë Baneit përshtypjen se ata vetë do të kontaktonin rojën bregdetare.

Megjithatë, deklaratat zyrtare të policisë tregojnë se oficerët i kishin thënë Baneit që të telefononte vetë rojën bregdetare.

Kaluan nëntë orë nga raportimi fillestar i zhdukjes së Sarmit, derisa Bane më në fund telefonoi rojën bregdetare -  në orën 11:46, me orën lokale.

“Fundja, përgjegjësia është gjithmonë e kapitenit kur dikush mungon në bord”, thotë komandanti Jan League nga Roja Bregdetare e SHBA-së.

“Çdo minutë ka rëndësi në ato momente. Të presësh nëntë orë ul ndjeshëm mundësinë për ta gjetur një person në ujë”.

Kërkimi nga roja bregdetare filloi 11 orë pasi Sarm u raportua e zhdukur në polici. Anije dhe një helikopter kontrolluan detin dhe bregun përreth vendit ku ishte ankoruar jahti Siren Song.

Komandanti League thotë se është shumë e rrallë që dikush të bjerë në det dhe trupi të mos gjendet kurrë.

“Gjatë tre vjetëve që jam këtu, kemi pasur raste me njerëz që kanë rënë në det, por kurrë nuk ka ndodhur që trupi të mos gjendet”,  thotë ai.

Bane ka përdorur të drejtën e tij sipas amendamentit të katërt të Kushtetutës së SHBA-së, që ndalon kontrollet dhe sekuestrimet e pajustifikuara nga shteti për të ndaluar një ekip forenzik të kontrollojë jahtin e tij.

E vetmja kontroll që është bërë ishte një inspektim i thjeshtë sigurie nga roja bregdetare.
Bane ka përdorur gjithashtu amendamentin e pestë - të drejtën për të mos dhënë dëshmi që mund ta fajësojnë, për të refuzuar marrjen në pyetje nga policia.

Avokati Cattie tha se ai e kishte këshilluar Banein t’i përdorte këto të drejta.

“Një gjë që e mëson si avokat është se ka shumë njerëz që nuk kanë asgjë për të fshehur, që s’kanë bërë asgjë të keqe”, tha ai. “Që… duan të bashkëpunojnë për gjithçka dhe përfundojnë në burg për diçka që nuk e kanë bërë”.

Pesë javë pasi raportoi zhdukjen e Sarmit, Bane u largua nga Ishujt e Virgjër Amerikanë. Ai nuk është kthyer kurrë. Më vonë, ai u përpoq të shiste jahtin.

“Gjëja më e frikshme”

Për të mësuar më shumë rreth Ryan Bane, gazetari gjeti ish-bashkëshorten e tij, Cori Stevenson.
Ata u martuan në vitin 2008, por në vitin 2011 ai e sulmoi atë pas një dasme. Ajo tregoi se ai e rrëzoi në tokë. “Më kapi për flokësh dhe ma përplasi kokën në dysheme”, thotë ajo duke shtuar se ia theu dhëmbët e përparmë. “Më shtrëngoi në fyt dhe humba ndjenjat”,  shton ajo.

“Kur ai ishte në atë gjendjen e tërbimit… sytë i bëheshin krejt të zinj”, thotë ajo. “Kjo ishte gjëja më e frikshme. Mendova: ‘Sot do të vdes’”.

Ryan Bane u dënua me 60 ditë burgim për dhunë në familje - sulm i thjeshtë. Çifti u divorcua në vitin 2014.

Avokati Cattie pranon se Bane është dënuar për atë rast të vetëm, por shton se “nuk ka asnjë tregues që ai ka pasur ndonjëherë përplasje të dhunshme me Sarmin”.

Rasti i Sarmit ende klasifikohet si një person i zhdukur, por miqtë dhe familja e saj kërkojnë që ai të riklasifikohet si një hetim për vrasje pa trup të gjetur. Ata thonë se kjo do t’i jepte më shumë mundësi policisë për të thelluar hetimet.

Ish-oficeri i Policisë Metropolitane që familja angazhoi për ndihmë, David Johnston, thotë se nëse Sarm do të ishte zhdukur në Britani, rasti do të ishte trajtuar që në fillim si “zhdukje me dyshime për krim”.

Disa nga provat, sipas tij, “do të kishin mjaftuar që Bane të ishte arrestuar shumë shpejt, në mënyrë që të merrej në pyetje”.

Policia e Ishujve të Virgjër Amerikanë tha se mbetet e përkushtuar për të sjellë mbyllje në këtë rast dhe do të ndjekë çdo pistë të mundshme.

Ndërkohë, avokati i Baneit tha se klienti i tij nuk është akuzuar kurrë për ndonjë krim dhe asnjë gjykatë nuk ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij. Cattie tha se ka njoftuar policinë dhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së se nëse kërkohet, Bane do të kthehej vullnetarisht në Ishujt e Virgjër.

Megjithëse policia thotë se rasti është në një rrugë pa dalje, miqtë dhe familja e Sarmit thonë se do të vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën.

“Ajo ishte dashuria e jetës sime, vajza ime e vogël. Kur e di që nuk do ta shoh më kurrë  - më thyhet zemra”, thotë nëna e saj, Brenda.
“Por tani jam më e fortë dhe do të bëj gjithçka që mundem. Nuk do të dorëzohem kurrë”.