Botë

Qeveria e Libisë pezullon ministren e Punëve të Jashtme, pas takimit me homologun izraelit

Takimi i ministres së Jashtme libiane, Najla al-Mangoush, me homologun e saj izraelit në Romë çoi në protesta në rrugë në disa qytete libiane. Qindra njerëz demonstruan gjatë natës në kryeqytetin e Libisë dhe provinca të tjera, të zemëruar nga raportet se ministrja e jashtme e vendit u takua me kryediplomatin izraelit javën e kaluar në Romë.

Kryeministri i Libisë, Abdul Hamid Dbeibah, ka pezulluar ministren e Jashtme, pasi ajo është takuar jozyrtarisht me homologun izraelit.

Libia nuk e njeh Izraelin, ndërsa Tripoli mbështetë kauzën palestineze.

Takimi ka nxitur edhe protesta në Libi. Qindra njerëz kanë protestuar në kryeqytetin libian, Tripoli.

Demonstruesit u mblodhën para selisë së Ministrisë së Jashtme dhe kryeministrisë, duke djegur goma.

Gjithçka nisi të dielën kur Ministria e Jashtme e Izraelit tha se ministrat e Jashtëm të dyja vendeve ishin takuar në Romë.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Eli Cohen, e ka përshkruar takimin me Najla al-Mangoushin si hap historik për vendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Izraeli është duke u munduar të ndërtojë marrëdhënie më të ngushta me shtetet me shumicë arabe dhe myslimane, ndër to edhe me Libinë.

Në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Cohen citohet të ketë thënë se ata biseduan për “rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së hebrenjve të Libisë, e cila përfshin rinovimin e sinagogës dhe varrezave hebraike në Libi”.

Mirëpo, Këshilli Presidencial i Libisë, që përfaqëson tri provincat, ka thënë se është ilegale të normalizohen marrëdhëniet me Izraelin.

Kryekuvendari i Libisë e ka akuzuar Mangoushin për tradhti të lartë, ndërsa kryeministri Dbeibah e ka referuar atë për hetim.

Nga Ministria e Jashtme e Libisë është thënë se Mangoush e ka refuzuar takimin me përfaqësuesit nga Izraeli dhe ai që ndodhi ishte një “takim i befasishëm, i papërgatitur gjatë një takimi në Ministrinë e Jashtme të Italisë”. (Blerta Haxhiu)