Botë

Ministrja britanike: Izraeli po e përdor urinë si armë të luftës

Jenny Chapman

Foto: Associated Press

Ministrja britanike e Zhvillimit, Jenny Chapman, ka deklaruar për BBC-në se Izraeli po e “përdorë krizën e urisë si armë të luftës” në Rripin e Gazës.

Tek ka folur për korrespondenten e BBC-së për Lindjen e Mesme, në qytetin e Ramallahut, Chapman ka shtuar se Izraeli po i ndalon dërgesat e ushqimit “në mënyrë që t’i detyrojë njerëzit të zhvendosen”.

“Kjo s’është diçka që Britania e Madhe, apo ndonjë qeveri tjetër aleate, mund ta tolerojë dhe ta lejojë të ndodhë”, ka thënë ajo.

“Ne kemi qenë shumë të qartë që nga fillimi, e kemi përkrahur Izraelin gjatë tërë kohës. Kjo është me të vërtetë e tepërt. Kjo është kundërproduktive. Kjo po i dëmton pengjet. Kjo po e zvogëlon mundësinë e nxjerrjes gjallë të atyre pengjeve”, ka vazhduar Chapman.

Komentet e saj janë bërë në kohën kur Britania e Madhe ka suspenduar bisedimet rreth marrëveshjes tregtare me Izraelin, ka thirrur ambasadorin izraelit dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj kolonëve në Bregun Perëndimor, teksa sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, e quajti përshkallëzimin ushtarak në Gazë si “moralisht të pajustifikueshëm”.