Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ministri iranian pranon se studentët protestues po dërgohen në institucione psikiatrike

Ndërsa gratë po djegin shamitë dhe po prenë flokët në shenjë proteste në Iran, një zyrtar ka thënë se studentët që po marrin pjesë në protesta po ndalohen dhe po dërgohen në institucione të shëndetit mendor.

Ministri i Edukimit i Iranit, Yousef Nouri, konfirmoi të mërkurën, se disa studentë me të vërtetë janë arrestuar dhe janë dërguar në ato që i ka quajtur “institucione psikiatrike”.

Institucionet ku po mbahen studentët, tha ai, kanë për qëllim të reformojnë dhe riedukojnë studentët që të parandalojnë sjelljet anti-sociale, raportoi CNN të mërkurën. 

“Është e mundshme që këta studentë të jenë bërë karaktere anti-sociale dhe ne duam t’i reformojmë ata”, tha ai, duke shtuar se studentët mund të kthehen në klasa pasi të reformohen.

Afër një muaj më parë, 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq pasi u dërgua në një “qendër riedukimi” nga policia e moralit, pasi nuk respektoi kodin e veshjes. Vdekja e saj ka nxitur protesta anti-qeveritare në tërë Iranin.