Mes rrënojave në Gazë, Mahmoud Hammad kërkon me duart e tij mbetjet mortore të familjarëve të tij të vrarë nga sulmet izraelite. Dy vjet pas një sulmi ajror që i vrau bashkëshorten shtatzënë dhe pesë fëmijët, ai vazhdon të gërmojë me shpresën për t’ua dhënë një varrim të denjë. Historia e tij pasqyron tragjedinë më të gjerë të mijëra familjeve, ndërsa mijëra trupa mbeten ende nën miliona tonë rrënoja. Mes mungesës së pajisjeve dhe shkatërrimit masiv, kërkimi për të zhdukurit vazhdon si një betejë e dhimbshme
I strukur mes një grumbulli rrënojash, ku dikur ishte apartamenti i tij në Gaza, Mahmoud Hammad, mbush me dhe një sitë të madhe dhe e tund me kujdes, duke vështruar me vëmendje përpara se ta zbrazë sërish.
Ditët e fundit ai ka pasur fat. Mes dheut janë shfaqur fragmente të vogla kockash.
Ai beson se ato i përkasin vajzës së palindur që gruaja e tij mbante në bark, kur një sulm ajror izraelit goditi ndërtesën e familjes më shumë se dy vjet më parë, duke vrarë bashkëshorten e tij shtatzënë dhe pesë fëmijët e tyre.
Mbetjet e gjetura ai i ka shtuar në një kuti ku ka mbledhur mbetje të tjera kockash gjatë muajve të tërë që ka gërmuar i vetëm nën rrënoja, duke përdorur kazma, lopata dhe duart e tij.
“Nuk do t’i gjej dot të gjitha”, tha ai.
Rreth 8 mijë persona mbeten ende të varrosur nën rrënojat e shtëpive të tyre, të shkatërruara nga bombardimet izraelite gjatë fushatës kundër Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ndërsa sulmet ajrore dhe operacionet tokësore vazhdonin, nxjerrja e trupave ishte pothuajse e pamundur. Por, që prej marrëveshjes së armëpushimit në tetor, përpjekjet për t’i gërmuar janë shtuar, megjithëse pengohen nga mungesa e pajisjeve të rënda.

“Ata martirë, unë i gjallë”
Rreth orës 11:30 të paradites, më 6 dhjetor 2023, një sulm izraelit goditi ndërtesën gjashtëkatëshe ku jetonin familjet e Hammadit dhe vëllait të tij, në lagjen Sabra të qytetit të Gazës.
Hammadi, 39 vjeç, sapo kishte dalë nga apartamenti për t’u ngjitur lart, ndërsa gruaja e tij, Nema Hammad, në muajin e nëntë të shtatzënisë, dhe pesë fëmijët e tyre, nga 8 deri në 16 vjeç, po përfundonin mëngjesin.
Në ditët para sulmit, Ushtria izraelite kishte hedhur fletushka në zonë, duke urdhëruar banorët të largoheshin drejt pjesës jugore të Rripit të Gazës. Mahmoud Hammad refuzoi të largohej.
Për një kohë, Nema dhe fëmijët u strehuan në shtëpinë e prindërve të saj në distriktin e afërt të Jabalias, ndërsa ai qëndroi pas. Por, Nema dëshironte të kthehej. I shoqi u përpoq ta bindte të mos kthehej, pasi bombardimet vazhdonin përreth. Megjithatë, më 5 dhjetor, ai i gjeti gruan dhe fëmijët para derës së shtëpisë.
“Ose do të jetojmë bashkë, ose do të kthehemi në martirë të gjithë”, kujton ai fjalët e saj.
“Ata u bën martirë, unë mbeta gjallë”, thotë ai. Edhe vëllai i tij, kunata dhe katër djemtë e tyre humbën jetën.
Mahmoud Hammad u dërgua në një klinikë aty pranë me plagë të shumta, përfshirë fraktura në kraharor, legen e gju dhe hemorragji të brendshme në kraharor.
Pas sulmit, fqinjët arritën ta nxirrnin trupin e pajetë të djalit të tij më të madh, Ismailit, si dhe të dy prej fëmijëve të vëllait.
Të tjerët mbetën nën rrënoja.
Gërmimi në shtëpinë e tij
Pasi u shërua, Hammadi u kthye nën rrënojat e apartamentit dhe ngriti një strehë të përkohshme pranë tyre për të jetuar.
“Qëndrova me ta, me gruan dhe fëmijët e mi, në rrënoja”, thotë ai. “Çdo ditë flisja me ta. Aroma e tyre dukej sikur ende qëndronte aty dhe ndieja një lidhje të thellë me ta”.
Ai nisi kërkimin për trupat e tyre. Fillimisht kërkoi ndihmë nga Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Gaza. Por, ekipet e shpëtimit nuk erdhën kurrë, sepse ishte tepër e rrezikshme mes bombardimeve intensive, ose për shkak të mungesës së makinerive për t’i hequr rrënojat.
Kështu, ai filloi të gërmonte vetë. Filloi me tavanet dhe muret e shembura, duke i thyer në copa të vogla dhe duke i futur në thasë. Sot, dhjetëra thasë të grumbulluar rreth vendit formojnë një lloj muri.
Në mars 2024, ai gjeti disa mbetje që beson se i përkasin familjes së tij.
“Ishin kocka të vogla të mbuluara me mish… disa prej tyre të ngrëna nga kafshët”, thotë ai.
Në fund të vitit 2024, pasi kishte gërmuar deri në apartamentin e vëllait, që ndodhej në katin e tretë, ai gjeti trupat e vëllait dhe kunatës. I varrosi në një varrezë të përkohshme që banorët e zonës kishin krijuar gjatë luftës.
Që nga tetori, Hammadi e ka rifilluar gërmimin. Ai ka zbritur deri në nëntë metra thellësi. Më në fund arriti në apartamentin e tij, që ndodhej në katin përdhes. Tani është përqendruar në pastrimin e rrënojave në anën lindore, sepse aty e di se gruaja e tij ndodhej në çastet e fundit.
“Ata po hanin puding me oriz në dhomën e ndenjes”, thotë ai.
Duke situr dheun, ai gjeti fragmente shumë të vogla kockash. Ai ndau fotografi të tyre përmes WhatsAppit me një mjek, i cili i tha se fragmentet, mes tyre edhe një nofull e vogël, duket se i përkasin një foshnje.
Ai beson se janë mbetjet e vajzës që po prisnin me padurim. Kishin vendosur ta quanin Haifa, sipas një kunate të tij që ishte vrarë nga një sulm izraelit vetëm disa javë para goditjes së shtëpisë së tyre.
“Të gjitha rrobat e foshnjës, krevati i saj dhe një dhomë e veçantë ishin gati. Të gjithë në shtëpi po prisnin ardhjen e saj”, thotë ai.
Zbulimi i fragmenteve të kockave i ka dhënë një grimë shprese.
“Është një shenjë se po afrohem te gruaja ime dhe fëmijët e tjerë”, thotë ai.
Kur të mbledhë mjaftueshëm mbetje, ai thotë se do t’u bëjë një varrim të denjë.
61 milionë tonë rrënoja
Më shumë se 700 trupa janë nxjerrë nga ndërtesat e shembura që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, tha për Associated Press, Zaher al-Waheidi, drejtues i departamentit të regjistrave në Ministrinë e Shëndetësisë në Gaza.
Secili prej tyre i shtohet listës së viktimave të luftës - që tani ka kaluar mbi 72 mijë, sipas ministrisë, e cila është pjesë e qeverisë së drejtuar nga Hamasi dhe mban regjistra të detajuar të viktimave. Këto të dhëna konsiderohen përgjithësisht të besueshme nga agjencitë e OKB-së dhe ekspertë të pavarur, megjithëse nuk bëhet ndarje mes civilëve dhe luftëtarëve të Hamasit.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Sipas njësisë së analizës së imazheve satelitore të OKB-së, bombardimet izraelite kanë shkatërruar ose dëmtuar 81% të 250 mijë ndërtesave në Rripin e Gazës, përfshirë shkolla, spitale dhe banesa private.
Kjo e ka kthyer Gazën në një nga vendet më të shkatërruara në botë, me rreth 61 milionë tonë rrënoja - një vëllim i krahasueshëm me 15 Piramida të Mëdha të Gizës ose 25 Kulla Eifel, sipas OKB-së.
Punimet e kërkim-shpëtimit janë vështirësuar edhe më shumë nga mungesa e buldozerëve dhe pajisjeve të rënda, të cilat Izraeli shpesh nuk lejon të futen në Gaza.
Ndërkohë, operacionet e shpëtimit mbeten të pamundura në më shumë se 50% të territorit të Gazës që vazhdon të jetë nën kontrollin e Ushtrisë izraelite. Aty, Ushtria ka vazhduar në mënyrë sistematike shpërthimin dhe rrafshimin e ndërtesave, duke e zvogëluar edhe më tej mundësinë e gjetjes së trupave të mbetur nën rrënoja.
Rreth dy muaj më parë, OKB-ja dhe Kryqi i Kuq koordinuan hyrjen e një eskavatori për Mbrojtjen Civile, tha Karem al-Dalu, punonjës i këtij shërbimi.
“Por kjo nuk mjafton”, u shpreh al-Dalu, ndërsa ai dhe punonjës të tjerë, duke përdorur eskavatorin e ri, pastronin rrënojat e një ndërtese në lagjen Sheikh Radwan të qytetit të Gazës.
Ndërtesa ishte rrafshuar nga një sulm ajror më 11 dhjetor 2023, ndërsa brenda saj ndodheshin rreth 120 persona, tha Rafiq Abdel-Khaleq Salem, familja e të cilit ishte strehuar aty.
“Faji i tyre i vetëm ishte se nuk u larguan, prandaj e rrafshuan ndërtesën mbi ta”, tha ai.
Në ditët pas sulmit u nxorën 66 trupa, sipas tij. Edhe 54 persona të tjerë mbetën të varrosur nën rrënoja.
Ekipet e shpëtimit arritën të kthehen në vendngjarje vetëm fundjavën e kaluar. Ata gjetën edhe 27 trupa të tjerë, por pjesa tjetër mbetet e zhdukur, përfshirë gruan e Salem dhe katër fëmijët e tyre.
“Është e dhimbshme”, tha ai. “Shpresoja të gjeja gruan dhe fëmijët e mi për t’i varrosur dhe për t’i vizituar te varret e tyre”.