Botë

Merzi zotohet të ndërtojë ushtrinë më të fortë në Evropë

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, të mërkurën gjatë adresimit të tij para Bundestagut (dhomës së ulët të parlamentit gjerman) ka premtuar që do të ndërtojë “ushtrinë më të fortë konvencionale në Evropë”, ndërsa kontinenti i vjetër përballet me një Rusi armiqësore dhe luftën në Ukrainë, ka raportuar The Guardian.

“Kjo është e përshtatshme për vendin më të populluar dhe ekonomikisht më të fuqishëm të Evropës”, u ka thënë Merz ligjvënësve. 

“Miqtë tanë dhe partnerët e presin këtë nga ne. Sigurisht që ata e kërkojnë këtë edhe në praktikë”, ka vazhduar ai.

Në adresimin e tij të parë në parlament, që kur qeveria e tij u formua javën e kaluar, Merz u zotua se do të “shfrytëzojë çdo mundësi financiare” për fuqizimin e forcave të mbrojtjes.

“Qëllimi ynë është që Gjermania dhe Evropa të jenë aq të forta së bashku, saqë nuk do të na nevojitet më t’i përdorim armët tona. Për ta arritur këtë, duhet të marrim më shumë përgjegjësi përsipër si brenda NATO-s ashtu dhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka kërkuar Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë evropianë që të shpenzojnë më shumë në fushën e mbrojtjes, duke ngritur rrjedhimisht pikëpyetje mbi përkushtimin amerikan në aleancën ushtarake transatlantike.