Botë

Rusia e shqetësuar me “militarizimin” e shpejtë të Gjermanisë

Friedrich Merz

Friedrich Merz

Autoritetet ruse e kanë akuzuar të enjten kancelarin gjerman, Friedrich Merz, se po ndjek një shteg të “militarizimit”, duke e kualifikuar atë si shqetësim të madh për Moskën zyrtare, ka shkruar Reuters.

Merz, i cili u zgjodh kancelar në muajin maj, ka mbajtur qëndrim të palëkundur sa i përket mbështetjes së Ukrainës, për dallim nga paraardhësi i tij, Olaf Scholz, teksa ka premtuar se do ta rrisë trysninë kundrejt Rusisë në lidhje me luftën në Ukrainë.

Ai e kishte vizituar Kievin disa ditë pasi ishte emëruar kancelar, si dhe e ka afirmuar të drejtën e Ukrainës për ta bombarduar Rusinë me raketa që kanë rreze të gjatë veprimi.

Gjatë mandatit të Merzit, Gjermania ka planifikuar të rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes në 3.5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm deri në vitin 2029.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë gjatë adresimit të saj për gazetarët se Gjermania është duke ndjekur politikë armiqësore karshi Rusisë në vitet e fundit, ndërsa Merzi po e shton dozën e retorikës antiruse “për çdo ditë”.

“Kjo retorikë është duke u bërë gjithnjë e më agresive. Besojmë se kursi që ai ka zgjedhur për të eskaluar marrëdhëniet me Rusinë, paralelisht me militarizimin e detyruar të Gjermanisë, është arsye për t’u shqetësuar, para së gjithash për vetë qytetarët gjermanë”, është shprehur Zakharova.