Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të krijojë një buxhet më afatgjatë dhe fond mbështetës për të ndihmuar bllokun që t’u mbijetojë dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Merkeli është shprehur skeptike se marrëveshja për buxhet do të arrihet në takimin e liderëve të BE-së përmes videokonferencës, andaj insistoi për një takim fizik më vonë gjatë vitit 2020.
Pandeminë e koronavirusit e ka cilësuar si sfidën më të madhe në historinë e Evropës, të cilës i ka bërë thirrje që të marrë më shumë përgjegjësi globale.
BE-ja aktualisht është e përqendruar në planin për furnizim me vaksinë, në rast se gjendet ndonjë e tillë gjatë këtij viti. Me këtë, blloku evropian po tenton që ta zbehë garën e dëmshme për vaksinën e shumëkërkuar.
Plani është pjesë e një strategjie më të gjerë të BE-së për të siguruar doza të mjaftueshme për bllokun dhe për shtetet më të varfra të botës.
Nën planin e BE-së, shtetet e pasura duhet të negociojnë me kompanitë farmaceutike dhe vaksinat duhet të rezervohen fillimisht për shtetet më të cenuara.