Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merkeli dhe Bideni zotohen për bashkëpunim karshi sfidave globale

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Joe Biden, janë dakorduar gjatë një bisede telefonike se pandemia e COVID-19 dhe sfidat e tjera globale mund të luftohen vetëm nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë.

Marrëdhëniet midis dy vendeve ishin tensionuar gjatë administratës së Donald Trumpit, i cili e kishte akuzuar disa herë Gjermaninë për fuqinë e saj eksportuese dhe shpenzimet relativisht të ulëta për mbrojtje në kuadër të NATO-s.

Pas takimeve me Trumpin në samitet e G7-s dhe NATO-s më 2017, Merkeli kishte deklaruar se Evropa nuk mund më të mbështetet tërësisht tek aleatët dhe se kontinenti duhet bërë më i pavarur.

Në bisedën e parë qëkur Bideni mori detyrën më 20 janar, Merkeli ka shprehur gatishmërinë për të marrë përgjegjësi në menaxhimin e përbashkët të sfidave ndërkombëtare.

Merkeli dhe Bideni janë pajtuar gjithashtu se nevojiten përpjekje më intensive ndërkombëtare, veçmas për ballafaqimin me pandeminë. Dy liderët kanë biseduar gjithashtu për një sërë çështjesh politike, në veçanti ato që lidhen me Afganistanin dhe Iranin, si dhe për ringjalljen e aleancës transatlantike.