Botë

Bideni e Scholzi takohen më 7 shkurt, flasin për Ukrainën

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të diskutojnë për agresionin rus karshi Ukrainës, gjatë një takimi që do të zhvillojnë muajin e ardhshëm në Washinton, ka bërë të ditur të enjten Shtëpia e Bardhë.

Takimi me të parin e SHBA-së, do të jetë i pari në zyrën ovale për Scholzin, që kur e ka marrë kryesimin e shtetit gjerman, në dhjetor të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e NATO-s kanë shprehur shqetësimet e tyre pasi Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa ushtarake afër Ukrainës, me siç thuhet, pretendimin e saj për ta pushtuar këtë shtet. Mirëpo Rusia i ka mohuar këto.

Refuzimi i Gjermanisë për t'u bashkuar me SHBA-në dhe anëtarët e tjerë të NATO-s në ofrimin e armëve për Ukrainën, ka mërzitur disa aleatë dhe ka ngritur pikëpyetje rreth vendosmërisë së Berlinit për t'iu kundërvënë Rusisë.

Ekspertët thonë se pozicioni i Gjermanisë është pjesërisht i rrënjosur në historinë e saj të agresionit gjatë shekullit të 20-të. Militarizimi i vetë Gjermanisë në Evropë gjatë dy Luftërave Botërore i ka bërë udhëheqësit gjermanë gjatë viteve të shohin çdo përgjigje ushtarake si mjetin e fundit.

Shtëpia e Bardhë e njoftoi vizitën e Scholzit një ditë pasi SHBA-ja i tha Rusisë me shkrim se po refuzon kërkesat e saj kryesore për zgjidhjen e krizës së gjatë mbi Ukrainën. Kremlini ka thënë të enjten se refuzimi i SHBA-së la “pak terren për optimizëm”.

Biden dhe Scholz do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin për pandeminë COVID-19, ndryshimet klimatike dhe çështjet ekonomike dhe të sigurisë, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Scholz u bë kancelari i nëntë i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, duke hapur një epokë të re për kombin më të populluar dhe ekonominë më të madhe të Bashkimit Evropian pas mandatit 16-vjeçar të Angela Merkelit.