Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, ka thënë se duhet të rritet edhe më shumë presioni ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, në mënyrë që të ndalen luftimet në Ukrainë.
Rasmussen ka folur për Ukrainën dhe Gazën përpara takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Kopenhagë të shtunën.
Lidhur me Ukrainën, Rasmussen tha se ka nevojë për të rritur presionin mbi presidentin rus, Vladimir Putin.
"Mendoj se është mjaft e qartë se ai po zvarrit kohën, duke u përpjekur të blejë kohë dhe të largojë vëmendjen nga sulmet e tij të vazhdueshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës dhe së fundmi, edhe nga përfaqësimi i BE-së në Kiev", shtoi ai.
Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Rusinë të lëvizë drejt paqes dhe të takohet me Ukrainën ose të përballet me sanksione të mundshme.
Lidhur me Gazën, Rasmussen tha se BE-ja e konsideronte Izraelin një mik, por se kishte një problem me qeverinë aktuale.
"Lajmet që vijnë nga Gaza nuk janë shumë inkurajuese kur bëhet fjalë për zonën e re të luftës ose zonën e luftimeve apo idetë që vijnë prej andej", tha Rasmussen.
Ai shtoi se ministrat e BE-së do të diskutojnë operacionin e zgjeruar ushtarak të Izraelit në qytetin e Gazës dhe mundësinë e vendosjes së ndalimeve të eksportit nga vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor.