Korporata e ushqimit McDonald’s ka deklaruar të mërkurën se mbyllja e 847 dyqaneve të saj në Rusi do t’i kushtojë kompanisë rreth 50 milionë dolarë në muaj.
Kompania ka bërë të ditur të martën se do t’i mbyllte përkohësisht të gjitha restorantet e saj në Rusi, përfshirë edhe lokacionin ikonik të saj Pushkin Square. Vendimi ka ardhur si pasojë e presionit global ndaj McDonald’s dhe Coca Colas për të ndërprerë operimin në Rusi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
PepsiCo, Coca-Cola dhe Starbucks janë në mesin e firmave të tjera të mëdha të cilat kanë deklaruar se do të ndalojë së shituri produktet e tyre dhe t’i mbyllin të gjitha dyqanet në Rusi.
Këto kompani, së bashku me shumë të tjera, janë ballafaquar me kërcënime për bojkot të produkteve të tyre, për shkak të dështimit për t’u larguar nga Rusia.
McDonald’s ka thënë se të gjitha dyqanet dhe restorantet do të mbyllën në Rusi, mirëpo do të vazhdojë t’i paguajë 62,000 punëtorët që kanë punuar deri më tani në to.