Rreth 110 persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një zjarri që po përhapet me shpejtësi dhe ka arritur në periferi të Marsejës, qytetit të dytë më të madh të Francës.
Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, ka thënë se rreth 800 zjarrfikës ishin në vendngjarje dhe përpjekjet për të shuar flakët do të vazhdojnë edhe më tej pasi zjarri nuk ishte ende nën kontroll, raporton BBC.
Kryebashkiaku i qytetit, Benoit Payan, ka deklaruar më parë më parë se "batalioni i zjarrfikësve detarë po zhvillon luftë guerile, me tuba uji në dorë", duke iu referuar shërbimit të zjarrfikësve dhe shpëtimit të Marsejës.
Të paktën 400 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, sipas mediave franceze. Thuhet se nëntë zjarrfikës janë lënduar.
Banorët ishin paralajmëruar të qëndronin brenda dhe u ishte kërkuar të mos evakuoheshin nëse nuk u jepej udhëzim, në mënyrë që rrugët të ishin të lira për automjetet e emergjencës.
Në kulmin e tij, zjarri u përhap me një shpejtësi prej 1.2 km në minutë, ka thënë kryebashkiaku, sipas transmetuesit francez BFMTV. Ai fajësoi për shpejtësinë e përhapjes një kombinim të erërave të forta, bimësisë së dendur dhe shpateve të pjerrëta.
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ndodhet në një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, shprehu mbështetje për ekipet e zjarrfikësve dhe u bëri thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e sigurisë.
"Mendimet tona janë me të lënduarit dhe të gjithë banorët", ka shkruar ai në X.
Ndërkohë, Aeroporti i Marsejës ka njoftuar se do të rihapet pjesërisht pasi ishte mbyllur për shumë orë që nga mesdita e së martës.