BE-ja i ofron Britanisë një “shans të fundit” për Brexit të rregullt
Liderët e Bashkimit Evropian i ofruan Britanisë së Madhe një shans të fundit të premten për daljen nga blloku në mënyrë të rregullt, duke ia zgjatur deri më 12 prill afatin përfundimtar për ta ofruar një plan të ri apo zgjedhur divorcin pa marrëveshje nga blloku.
Pas një dite të lodhshme në Bruksel, kryeministrja britanike, Theresa May, siguroi edhe dy javë kohë për t’i bindur ligjvënësit që ta miratojnë, nëpërmjet votimit të tretë në Parlament, marrëveshjen që ajo negocioi me bllokun në nëntor, ose përndryshe vendi do të përballet me opsionin e daljes kaotike nga BE-ja më 12 prill, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
“Britania do të ngelet jashtë Bashkimit Evropian më 12 prill, në rast se ligjvënësit e vendit e refuzojnë sërish marrëveshjen e Brexitit ndërsa Qeveria nuk arrin të dalë me një plan të ri dhe të besueshëm, ka thënë të premten një zyrtar i presidencës franceze. Ky qëndrim i Francës megjithatë është në kundërshti me atë të disa vendeve anëtare dhe zyrtarëve të bllokut, të cilët pretendojnë se dyert për Britaninë mund të jenë akoma të hapur, edhe pas shtyrjes shtesë.
Kësisoj, Qeveria britanike ka njoftuar se votimi i tretë kuptimplotë për marrëveshjen e Mayit mund të mbahet javën e ardhshme.