Qeveria e Venezuelës dhe mbështetësit e saj i kanë bërë homazhe presidentit të ndjerë, Hugo Chavez, gjatë përkujtimeve që shënuan dhjetëvjetorin e vdekjes së tij.
Mijëra mbështetës të partisë në pushtet u mblodhën në pika të ndryshme të Caracasit dhe marshuan drejt Cuartel de la Montaña, në një moment duke brohoritur dhe duke mbajtur posterë e flamuj, raporton agjencia AP.
“Chavez ka hyrë në zemrat tona”, ka theksuar një mbështetës i Chavezit. “Mund ta vini re ndryshimin mes presidentëve që kanë qeverisur dhe kanë vdekur, askush nuk shkon te varret e tyre, as për t’u bërë nderime, mirëpo ne, venezuelasit, që e ndiejmë këtë projekt revolucionar, shkojmë atje ku është ai”. Ndërkohë edhe udhëheqësit rajonalë që u mblodhën për Takimin Botëror për vlefshmërinë e mendimit bolivar të komandantit Hugo Chavez në shekullin 21 i bënë homazhe Chavezit.