Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të mërkurën pas takimit virtual mes liderëve evropianë dhe presidentit amerikan, Donald Trump, se qëllimi parësor për aleatët është arritja e marrëveshjes së armëpushimit në Ukrainë.
“Biseda me Donald Trumpin i ka qartësuar qëllimet e tij, dhe na ka shërbyer neve që të shprehim pritshmëritë tona”, ka thënë ai, tek ka qenë krah për krah me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
“Dëshira e amerikanëve është që të mundësohet një armëpushim”, ka vazhduar më tutje Macron. “Ne duam që çdo çështje e cila lidhet me Ukrainën të diskutohet në praninë e Ukrainës”.
Sipas tij, liderët evropianë gjithashtu kanë adresuar thirrje për më shumë shkëmbime mes të burgosurve të luftës dhe lirimit të fëmijëve ukrainas që janë rrëmbyer nga forcat ruse gjatë luftës.
Duke folur rreth samitit të mundshëm që do të sillte së bashku Trumpin, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin, ai ka deklaruar se shpreson që një takim i këtillë të mbahet “në vend neutral që është i pranueshëm për të gjitha palët”.
Lidhur me ofertën e Trumpit për shkëmbime territoriale mes Rusisë e Ukrainës, Macroni ka theksuar se “çështjet territoriale që kanë të bëjnë me Ukrainën mund të negociohen, dhe do të negociohen, vetëm nga presidenti ukrainas".
