Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa rrezikojnë të humbasin kredibilitetin dhe të akuzohen për “standarde të dyfishta” nëse nuk arrijnë ta zgjidhin sa më shpejt luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Rripin e Gazës, shkruan BBC.
Gjatë një fjalimi në Dialogun Shangri-La, samit i nivelit të lartë të mbrojtjes në Azi që u mbajt në Singapor, Macron bëri thirrje edhe për një aleancë të re mes vendeve aziatike dhe Evropës, në mënyrë që këto vende të mos bëhen “dëm kolateral” në përballjen për ndikim global mes SHBA-së dhe Kinës.
“Nëse Rusia mund të marrë territorin ukrainas pa kufizime, pa pasoja… çfarë do të ndodhë në Tajvan? Çfarë do të bëni nëse nesër ndodh diçka në Filipine?”, paralajmëroi Macron para audiencës ku ndodhej edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Macron theksoi se lufta në Ukrainë është test për kredibilitetin kolektiv.
“Ajo që është në lojë në Ukrainë është kredibiliteti ynë i përbashkët, që jemi ende në gjendje të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e popujve. Nuk duhet të kemi standarde të dyfishta”, shtoi ai.
Frika për destabilizim është rritur në Azi, për shkak të mundësisë që Kina të tentojë të marrë me forcë kontrollin e Tajvanit, të cilin e konsideron si pjesë të saj, si dhe për shkak të përplasjeve gjithnjë e më të shpeshta me Filipinet në Detin e Kinës Jugore.
“Nëse SHBA-ja dhe evropianët nuk arrijnë ta zgjidhin në afat të shkurtër situatën në Ukrainë, kredibiliteti i tyre për të zgjidhur ndonjë krizë tjetër në këtë rajon do të jetë shumë i ulët”, ka thënë Macroni duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me rolin ushtarak të Evropës në Azi ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj liderëve të Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës, madje thuhet se i ka dhënë Vladimir Putinit një afat dyjavor. Trump gjithashtu ka kritikuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar se “nuk është i gatshëm për paqe”.
Macron u ndal edhe te lufta në Gaza, duke pranuar se ekziston një perceptim global se Perëndimi i ka dhënë “kalim të lirë” Izraelit.
“Nëse e braktisim Gazën, nëse e konsiderojmë se Izraeli ka një kalim të lirë, edhe nëse i dënojmë sulmet terroriste, atëherë ne e vrasim kredibilitetin tonë në pjesën tjetër të botës”, ka theksuar ai.
Presidenti francez shtoi se është e domosdoshme të punohet për armëpushim dhe për njohjen e ndërsjellë të shtetit palestinez.
“Është thelbësore të jemi të qëndrueshëm dhe t’u përmbahemi parimeve dhe rregullave tona”, vijoi Macron.
Në javët e fundit, liderë evropianë kanë kritikuar ashpër ofensivën izraelite për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Gaza. Ndërsa SHBA-ja ka propozuar plan për armëpushim në bashkëpunim me Izraelin dhe ka ngritur sistem të shpërndarjes së ndihmave në Gaza, i cili është kritikuar gjerësisht.