Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Macron refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm pas dhunës në qytetet franceze

Macroni

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka refuzuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Laurent Nunez, pas dhunës së rëndë në protesta që ka ndodhur të shtunën e 17 tetorit, në disa qytete të mëdha të Francës.

Në një deklaratë të publikuar të hënën në mëngjes, Pallati Elysee bëri të ditur se Macroni nuk e ka pranuar dorëheqjen e ministrit, duke theksuar nevojën për të garantuar vazhdimësinë e drejtimit të forcave të sigurisë në situatën aktuale, raportoi Euronews.

Sipas presidencës franceze, Macroni i ka kërkuar Nunezit të zbatojë sa më shpejt “metoda të reja veprimi në terren”, me qëllim përballjen me protestuesit e dhunshëm.

Macroni ka pranuar gjithashtu se ka pasur dështime në parashikimin e ngjarjeve dhe në mbledhjen e informacioneve, të cilat çuan në trazira, shkatërrime dhe plaçkitjen e shumë bizneseve.

Ndërkohë, kryeministri francez, Sebastien Lecornu, pritet të drejtojë një njësi ndërministrore të krizës, e cila do të mblidhet në orën 10:00, sipas kohës së Evropës Qendrore.

Pavarësisht dhunës të së shtunës, Macroni do të vazhdojë turneun e tij diplomatik në Gjirin Persik.

Duke filluar nga e hëna, ai do të vizitojë Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Katarin, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar furnizimin me naftë, si dhe për të ulur çmimet e karburanteve.