Franca do t’i dislokojë forcat ushtarake për të përforcuar policinë gjatë protestave që do të mbahen të shtunën, ka thënë ministri i Brendshëm, Laurent Nunez.
Ai ka theksuar se përgjigja ndaj trazirave do të jetë “e vendosur”.
“Ne do të dislokojmë forcën ‘Sentinelle’, natyrisht si zëvendësuese e forcave të sigurisë së brendshme... kryesisht për të çliruar policët dhe xhandarmërinë në misionin e tyre për ruajtjen e rendit”, ka thënë Nunez.
Gjatë ditës nga qeveria franceze ishte thënë se prezenca policore gjatë fundjavës do të ishte “masive”, raportoi Guardian.
Grevat dhe demonstratat e nxënësve të shkollave të mesme kundër rënies së cilësisë dhe përkeqësimit të kushteve në arsim janë ndërthurur me një valë më të gjerë pakënaqësie për rritjen e çmimeve dhe ndjesinë se nevojat për shëndetësi, strehim dhe mirëqenie sociale nuk po plotësohen më.
Trazirat kanë shtuar tensionet në skenën politike, gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale, ku, sipas sondazheve, kandidatët e së djathtës ekstreme dhe të së majtës radikale kryesojnë garën.