Botë

Macron: Franca do ta njohë Palestinën si shtet

Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar të enjten se Franca do ta njohë Palestinën si shtet.

Këtë deklaratë ai e dha në kohën kur po raportohet për uri dhe situatë alarmante humanitare në Gazë, raportoi “Washington Post”.

Në një postim në rrjetin X (ish-Twitter), Macroni ka thënë tha se do ta formalizojë këtë vendim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator. 

“Urgjenca sot është që lufta në Gazë të ndalet dhe popullsia civile të shpëtohet,” shkroi ai.

Presidenti francez ka treguar mbështetje për Izraelin dhe shpesh ka folur kundër antisemitizmit, por ka shprehur gjithnjë e më shumë zhgënjim për mënyrën se si Izraeli po e zhvillon luftën në Gazë.

“Duke pasur parasysh angazhimin historik të Francës për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca do ta njohë shtetin e Palestinës. Paqja është e mundur”, shkroi Macroni.

Ai gjithashtu publikoi një letër që ia ka dërguar presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, lidhur me këtë vendim.

Njoftimi i së enjtes u bë pak pas ndërprerjes së bisedimeve për armëpushim në Gazë nga Shtetet e Bashkuara në Katar, duke akuzuar Hamasin për mungesë të vullnetit të mirë.

Presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit është rritur ditët e fundit. Më herët këtë javë, Franca dhe mbi 20 vende të tjera – kryesisht evropiane – dënuan kufizimet e Izraelit ndaj ndihmave humanitare dhe vrasjet e qindra palestinezëve që po përpiqeshin të merrnin ushqim.