Peshkatarët Abolarinwa u takuan - dhe fermerët që po përdornin ujin për ujitje - pyetën veten: A e helmoi dikush ujin? Pse shohim kaq shumë peshq të ngordhur? Ajo që miqtë e Abolarinwas nuk e dinin në atë kohë ishte se dy vjet më parë kompania minerare Segilola Resources Operating Limited (SROL) ishte blerë nga një kompani kanadeze dhe kishte filluar eksplorimin në shkallë të gjerë në zonën e Osunit. Sot ajo drejton të vetmen minierë tregtare të arit në shkallë të gjerë në Nigeri, edhe pse zona ka qenë gjithmonë plot minatorë artizanalë
Simeon Abolarinwa, në fillim të njëzetave, për herë të parë përgatiti një biografi të shkurtër. Në fund të dokumentit ai renditi pasionet e tij: gjuetinë, ecjen dhe peshkimin. Ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tij që bënin të njëjtën gjë sa për të plotësuar hapësirat boshe ose për të synuar ngritje profili, këto ishin në të vërtetë qejfet e tij.
I rritur në shtetin e tij të lindjes Osun në Nigerinë jugperëndimore, dilte rregullisht nga shtëpia e familjes për të bërë grepa me tel dhe për të shkuar në peshkim me miqtë në përrenjtë pranë.

Lidhja e fortë emocionale
Këto ditë 41-vjeçari jeton në Osogbo, kryeqyteti i shtetit, duke punuar si administrator rrjeti me një universitet. Vendi i tij i preferuar për të peshkuar është një vend në lumin Osun, më pak se një kilometër nga banesa e tij dhe disa kilometra nga Zabeli i Shenjtë, Osun-Osogbo, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
"Unë e kam këtë lidhje personale me lumin Osun”, tha Abolarinwa për “Al-Jazeeran”. "Ku do ta ushtroj hobin tim nëse jo në lumin Osun?"
Ai gjithashtu del në pyll - ku peshkimi nuk lejohet - për të luajtur me majmunët dhe për të parë jetën e egër. Gjatë izolimit ai shkoi në vendin e tij të peshkimit për t'u ngjitur në shkëmbinj ose thjesht për t'u ulur dhe për të admiruar natyrën. "Unë kam një mik pedagog në universitet, një ornitolog me të cilin do të shkoja për të parë zogjtë", tha ai.
Herë shkon për peshkim vetëm dhe herë të tjera, me një grup entuziastësh të peshkimit. Ndonjëherë ata thjesht admirojnë kapjen e tyre përpara se t’i lëshojnë përsëri në lumë, por kryesisht kapin për të ngrënë.
Në profilin e tij në Twitter është një foto e tij duke gatuar peshk në një zjarr të hapur, një argëtim i ri për një burrë që nuk i pëlqente të hante peshk të freskët si fëmijë.
E gjithë kjo e bëri Abolarinwan disi një maniak peshkimi; ai e di se peshku është shumë i butë për t'u zier, por është më mirë të tymoset dhe se është i rrezikshëm të peshkosh gjatë sezonit të shirave, sepse niveli i ujit rritet.
Ai mësoi se tetori/nëntori, fillimi i sezonit të thatë, është sezoni i peshkimit, sepse peshqit shumohen kur niveli i ujit rritet dhe “në varësi të peshqve, brenda tre muajve, janë të mëdha për t'u kapur”.
“Lumi si çaji i zi”
Në një udhëtim peshkimi, pikërisht kur sezoni i shirave po përfundonte në vitin 2019, ai e pa se uji ishte turbulluar. Ai e fajësoi përmbytjen sepse shiu i turbullon gjërat - ndryshe nga sezoni i thatë kur mund të shihni fundin e lumit të cekët.

"Në sezonin e shirave, ajo ngjyrë do të ishte normale, pasi i gjithë rrjedhja e ujit mbushet vrullshëm", tha Abolarinwa për “Al-Jazeeran”. Erdhi stina e thatë, por uji mbeti i njëjtë. Më në fund, ata filluan të shihnin peshq të ngordhur që notonin në ujë.
“Ne menduam se ishte një gjë e përkohshme, se ndoshta dikush hodhi kimikate në degë gjatë rrugës dhe peshqit ngordhën dhe u fundosën”, tha ai. "Por u bë më keq në 2020. Uji ishte si çaji, në mes të sezonit të thatë”.
Peshkatarët Abolarinwa u takuan - dhe fermerët që po përdornin ujin për ujitje - pyetën veten: A e helmoi dikush ujin? Pse shohim kaq shumë peshq të ngordhur?
Ajo që miqtë e Abolarinwas nuk e dinin në atë kohë ishte se dy vjet më parë kompania minerare Segilola Resources Operating Limited (SROL) ishte blerë nga një kompani kanadeze dhe kishte filluar eksplorimin në shkallë të gjerë në zonën e Osunit.
Sot, ajo drejton të vetmen minierë tregtare të arit në shkallë të gjerë në Nigeri, edhe pse zona ka qenë gjithmonë plot minatorë artizanalë.
Në të vërtetë, historia e Osunit ka të bëjë sa me besimin, migrimin dhe eksplorimin, aq edhe me gërshetimin e elementëve të ndryshme për hairin që e ka për ata që kanë ngelur beqarë. Nga brenda dhe përtej Nigerisë, shumë kanë ardhur në shtet për shkak të besimit të tyre në atë që kalon nëpër tokë ose nën të.
Këtë gusht, mijëra njerëz nga e gjithë Nigeria dhe diaspora me prejardhje afrikane duke përfshirë Kubën, Brazilin dhe Trinidad dhe Tobago, vizituan Osun-Osogbo për festivalin vjetor dyjavor. Siç është zakon, shumë blejnë atje fuçi të vogla për të mbushur ujin e lumit dhe për ta çuar në shtëpitë e tyre anembanë globit.
Perëndesha e dashurisë
Në kozmologjinë jorube, Osuni, perëndeshë e dashurisë dhe seksualitetit, është një nga disa orisa ose perëndi. Në kulturën pop globale, ajo është e adhuruar - dhe është referuar nga personalitete si Dianne Reeves dhe Jennifer Lopez.
Këngëtarja amerikane Beyoncé u identifikua si perëndeshë në albumin e saj të vitit 2016 Lemonade dhe fotosesionin viral që kumtoi shtatzëninë e saj një vit më vonë, e veshur me ngjyrën e verdhë-artë të lidhur me Osun.
Pjesa e lumit që përshkon korijen e Osunit, një habitat natyror që është ruajtur për 400 vjet, besohet se ka fuqi për shtatzëni dhe për të shëruar në përgjithësi. Kryesisht për shkak të përpjekjeve të artistes austriako-nigeriane Susanne Wenger, korija u shpall monument kombëtar në vitin 1965 dhe zonë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2005.
Lumi - i cili është emërtuar për perëndeshën dhe shihet si shtëpia e saj - i jep emrin Osun, një nga 36 shtetet e Nigerisë. Duke shtrirë 213 kilometra, ai rrjedh nëpër pesë shtete në Nigerinë jugperëndimore, duke përfshirë Oyo, Ekiti, Ogun dhe Lagos ku hyn në lagunë dhe derdhet në Oqeanin Atlantik.
Në këto shtete, uji i tij përdoret për qëllime të ndryshme nga njerëzit, përfshirë fermerët. Disa diga e kalojnë gjithashtu atë, duke përfshirë një që ushqen dy fabrika të mëdha birre në ato shtete.
Por Osun është gjithashtu veçanërisht tërheqës për shkak të burimeve të shumta minerale; nga kasitriti, kolumbiti dhe turmalina te mika, mermeri dhe, më i vlefshmi, ari.
Për shekuj me radhë perënditë, ari dhe mineralet e tjera jetuan krah për krah në paqe.
Bumi i naftës
Në vitet 1970, pati një bum të naftës që çoi në shndërrimin e naftës së papërpunuar në burimin më të madh të të ardhurave për Nigerinë. Para kësaj, qeveria ishte e përfshirë në miniera, por në vitet që pasuan, shumë vende u braktisën dhe minierat u bënë kryesisht domeni i minatorëve artizanal.
Në vitin 1945, depozitat aluviale të arit u zbuluan për herë të parë në zonën e njohur si Reef Iperindo, 60 kilometra nga Osogbo. Nxjerrja në shkallë të vogël filloi atje dhe, në vitet 1980, Korporata e mëparshme Nigeriane Minierave (NMC) ngriti minierën e parë industriale atje. Më vonë, Tropical Mines Limited (TML) e bleu projektin me NMC-në duke mbajtur një interes prej 20 për qind.
Deri në vitin 2007, kur autoritetet nigeriane çrregulluan sektorin, TML-ja kishte hartuar Projektin Segilola Gold, që vepronte në pjesë të shtetit Osun, duke përfshirë Iperindo. Brenda një dekade, Thor Explorations Limited, një kompani e listuar në bursën kanadeze, hyri në Projektin e Arit Segilola përmes blerjes së SROL-it të mbështetur nga TML-ja. Kjo i dha asaj kontroll mbi qiranë e minierave ML41, licencën e kërkimit EL19066 dhe dy licenca të tjera kërkimi në 30 komunitete në Ilesha.
Shkelja e rregullave
Pronarët e rinj, të cilët filluan eksplorimin në vitin 2017, sipas një prej përfaqësuesve të saj, Ijeoma Ohaeri Koleso, "kanë shkuar përtej kërkesave rregullatore" në procesin e minierave. Ajo përdor një digë për ruajtjen e mbetjeve të saj dhe tha se "vizitat e shpeshta të monitorimit të pajtueshmërisë mjedisore bëhen nga një palë e tretë e akredituar dhe dëshmohen nga rregullatorët".
Megjithatë, askush nuk e di nëse kompania ndoqi procesin e duhur gjatë eksplorimit, i tha “Al-Jazeeras” në kushte anonimiteti një ndihmës i Kayode Fayemit, i cili ishte ministër i Mineraleve të ngurta në atë kohë. Zyrtarët aktualë të ministrisë nuk pranuan të komentojnë mbi këtë çështje.
Në atë kohë, minierat po ndërmerreshin gjithashtu në të gjithë shtetin nga minatorë të shumtë artizanal dhe minatorë të tjerë në shkallë të vogël.
“Al-Jazeera” foli me një numër punonjësish të Muzeut Kombëtar, Osogbo - i cili mbulon rajonin - por ata refuzuan të komentojnë, duke këmbëngulur se Abuja kishte dhënë udhëzime për të mos folur për situatën.
Njëri i tha “Al-Jazeeras” në mënyrë anonime se autoritetet kanë frikë se korija do të hiqet nga UNESCO dhe se ata presin që uji të kthehet në normalitet së shpejti.