Kreu i grupit mercenar rus Wagner ka thënë të enjten se luftëtarët e tij kanë filluar tërheqjen e tyre të planifikuar nga qyteti lindor i Ukrainës, Bakhmut.
Yevgney Prigozhin kishte njoftuar tërheqjen e Wagnerit në fundjavë, duke thënë se luftëtarët e tij do t’ia dorëzonin qytetin ushtrisë ruse pasi ta pushtonin atë pas një beteje të përgjakshme disamujore.
Në një video të postuar në kanalin e tij Telegram të enjten, Prigozhin shihet duke shtrënguar duart me luftëtarët e Wagnerit dhe duke i uruar ata.
Prigozhin tha se tërheqja e forcave Wagner pritej të përfundonte javën e ardhshme.
“Deri më 1 qershor, pjesa kryesore do të zhvendoset në kampet e pasme. Ne i transferojmë pozicionet ushtarake”, ka thënë ai.
Ushtruesi i detyrës së kreut të vetëshpallur të Republikës Popullore të Donjeckut, i mbështetur nga Moska, vizitoi Bakhmut të martën, duke thënë se tani do të njihet me emrin e tij ish-sovjetik “Artemovsk”.
Por zyrtarët ukrainas të martën thanë se një pjesë e qytetit mbetet nën kontrollin ukrainas. “Nëse ata [rusët] besojnë se e kanë marrë Bakhmutin, mund të them se kjo nuk është e vërtetë. Nga sot, një pjesë e Bakhmut është nën kontrollin tonë”, tha këshilltari ukrainas për sigurinë kombëtare Oleksiy Danilov për CNN.