Mercenarët e Wagnerit janë larguar nga Rostov-në-Don – qytet i rëndësishëm rus ku ata kishin marrë kontrollin gjatë rebelimit të tyre – pasi udhëheqësi i tyre Yevgeny Prigozhin ka rënë dakord që t’i japë fund kryengritjes dhe të shkojë në Bjellorusi, raportoi BBC-ja.
Teksa trupat e Wagnerit janë larguar nga qyteti, ata janë përshëndetur nga një turmë njerëzish që po i mbështesnin duke brohoritur.
Gjatë largimit të tyre janë dëgjuar edhe të shtëna armësh në ajër.
Sipas marrëveshjes së shpallur të shtunën nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, Prigozhini do të shkojë në Bjellorusinë fqinje, e cila e ka mbështetur pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Akuzat kundër tij për ngritjen e një rebelimi të armatosur do të hiqen.
Kremlini gjithashtu ka bërë të ditur se nuk do t’i ndjekë penalisht luftëtarët Wagnerit që morën pjesë, ndërsa atyre që nuk u bashkuan do t'u ofroheshin kontrata nga Ministria e Mbrojtjes. Prigozhin urdhëroi trupat e tij të kthehen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, ku ata kanë luftuar së bashku me ushtarët e rregullt rusë.
Sipas analistëve, duke lejuar Prigozhinin dhe forcat e tij të largohen, qëllimi i Putinit ishte ta shmangte gjakderdhjen dhe konfrontimin e brendshëm. Ata kanë shtuar se rreziku është nëse presidenti rus do të shihet si i dobët.
“Putini është dobësuar nga kjo aferë”, ka thënë për CNN-in ish-ambasadori i SHBA-së në Ukrainë, John Herbst.
Në shpalljen e rebelimit, Prigozhin akuzoi forcat ruse se sulmuan kampet e Wagnerit në Ukrainë me raketa, helikopterë dhe artileri. Ai pretendoi se gjenerali Valery Gerasimov, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, urdhëroi sulmet pas një takimi me Shoigun, në të cilin ata vendosën të shkatërronin kontraktorin ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes mohoi të ketë sulmuar kampet.