Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Peskov: Kremlini nuk po monitoron lëvizjet e Prigozhinit

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha të enjten se vendi i tij "nuk po monitoron" lëvizjet e liderit mercenar, Yevgeny Prigozhin, i cili para pak kohësh udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër kundër Kremlinit.

Deklarata e Peskovit erdhi pas pretendimeve të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, se shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, ishte në Shën Petersburg.

Lukashenko ndihmoi në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për Prigozhinin për t'i dhënë fund rebelimit të tij më 24 qershor, në këmbim të amnistisë dhe garancive të sigurisë për veten dhe ushtarët e tij si dhe leje për t'u shpërngulur në Bjellorusi.

Peskovi konfirmoi se zhvendosja e Prigozhinit në Bjellorusi ishte një ndër kushtet e marrëveshjes, por refuzoi të sqarojë nëse moszhvendosja e shefit të Wagnerit në Bjellorusi, ishte shkelje e marrëveshjes ose nëse marrëveshja ishte ndryshuar.

Më 24 qershor, Peskovi tha se në përputhje me marrëveshjet e arritura për t'i dhënë fund rebelimit, autoritetet ruse do t’i jepnin fund një hetimi penal kundër Prigozhinit.