Botë

Lufta me shumë fytyra dhe rrëfimi i mbledhësit së trupave në Donbas

Oleksiy Yukov gaboi në numërimin e trupave të pajetë që i gjeti në Donbas të Ukrainës gjatë pesë muajve të fundit. Ai tha se numri i regjistruar i të vrarëve është 300, por se mund të jetë më i lartë, shkruan BBC-ja të martën.

Oleksiy dhe ndihmësit e tij kryejnë punën duke lëvizur me një furgon-frigorifer të bardhë të shënuar me një kryq të kuq. Tërë dita iu shkon duke mbledhur trupa dhe mbetje të ushtarëve e të civilëve të vdekur ukrainas e rusë.

“Ne punojmë 24 orë në 7 ditë, gjatë gjithë kohës. Vozisim, eksplorojmë, transportojmë, kërkojmë, gjatë gjithë kohës”, rrëfen ai.

“Numëruesi i trupave” tha se detyra që kryen është e tmerrshme. Gërmon trupa të dekompozuar të varrosur në llogore të cekëta ose i mbledh ata që kanë mbetur të djegur nën automjete.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 5,000 civilë ukrainas janë vrarë që nga pushtimi rus, që nisi në shkurt. Të dhëna zyrtare nuk ka, por që ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha se kulmi i vdekjeve të ushtarakëve ukrainas ishte në maj, deri në 100 persona në ditë.

Për mbledhësin e trupave, Oleksiyn, kjo shifër është realiste, por që sipas tij, rusët kanë pësuar humbje tri herë më shumë.

“Nuk ka të bëjë me atë se kush fiton. Ka të bëjë me atë se e kujt është e vërteta. Rusët erdhën këtu dhe është e pamundur t’i falësh”, deklaroi Oleksiy kur u pyet se kush mendon që do të triumfojë.

Një ushtar ukrainas, i quajtur Oleksii, tha se vdekja vjen shpejt në Donbas. Predhat ruse sipas tij mbërrijnë në pak sekonda, e ushtria ruse i prodhon në sasi industriale. Mesatarisht, sipas ushtarit, Rusia i prodhon 20 mijë predha artilerie në ditë, derisa Ukraina është në gjendje t’i përgjigjet me vetëm 6 mijë.

“Kjo luftë shkatërroi jetën që kishim ndërtuar”, tha Oleksii, duke shtuar lufta po i dëmton edhe të gjallët pasi ka muaj që nuk e ka parë vajzën e tij njëvjeçare.

Por për Polinën, lufta ka një fytyrë tjetër. 21-vjeçarja tha se ky konflikt i ka hedhur një hije të madhe në jetën e saj të re. Babai dhe xhaxhai i saj aktualisht po mbahen robër në territorin e pushtuar nga Rusia. Ajo tha se po bën çmos që të mos dorëzohet, ndërsa për ta “shijuar” normalitetin, gjithë ditën dëgjon muzikë.

“Pos plumbave që fluturojnë mbi kokë, ka të plagosur, e këta të plagosur janë shpesh miqtë dhe të afërmit tanë. Nëse i merrni këto afër zemrës, do të jetë e vështirë”, deklaroi Polina, që aktualisht po shërben në një qendër për trajtimin e të plagosurve.

“Djemtë e plagosur dhe të rraskapitur ndonjëherë nuk duan as të shkojnë në spital. Ata thonë se nuk do t’i lënë vëllezërit e tyre, me të cilët mbajnë vijën e mbrojtjes së bashku”.