Ukrainasit po përballen përditë me vdekjen.
Rusia u është vërsulur nga toka, ajri dhe deti, me bombardime e granatime që nuk zgjedhin cak, derisa Vladimir Putini po mundohet ta ringjallë perandorinë e dikurshme ruse e vetë të njihet në mesin e rusëve si car i ri.
Ukrainasit po ndihen të braktisur nga pjesa tjetër e botës, sidomos nga ajo demokratike e Perëndimit pasi aspirojnë të jenë shtet anëtar në Bashkimin Evropian e NATO.
Më shumë 14 mijë ukrainas humbën jetën prejse Putini aneksoi Krimenë më 2014 dhe mbështeti kryengritësit pro-rusë në Donjeck dhe Luhansk, që javën e kaluar i njohu si shtete të pavarura para se t’i niste dy ditë më vonë trupat ruse drejt territorit të Ukrainës.
Mijëra ukrainas deri tani janë vrarë nga sulmet tokësore e ajrore ruse në qytetet më të mëdha të shtetit, që Putini mendon se nuk duhet të ekzistojë Ukraina.
Edhe
Ukraina kryen një prej sulmeve më të rënda ndaj Rusisë
“Bota e rrenave” e Rusisë
Kancelari gjerman, Olaf Scholc, e presidenti amerikan, Joe Biden, kanë thënë shprehimisht se kjo në të vërtetë është luftë e nxitur personalisht nga Putini. Lideri gjerman thotë se ukrainasit po luftojnë përditë për mbijetesë.
Ministrja e tij e Jashtme ka thënë se njerëzimi është zgjuar në një tjetër botë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Të dashur bashkëqytetarë, sot jemi zgjuar në një botë tjetër. Pas muajsh me përgatitje të rrenave dhe propagandës, presidenti Putin ka vendosur që sonte kërcënimet e tij t’i ndjekë me veprime të tmerrshme. Me sulmin ushtarak kundër Ukrainës, Qeveria ruse po shkelet rregullat elementare të rendit ndërkombëtar në sytë e botës. Rusia ka zgjedhur këtë shteg”, ka deklaruar Annalena Baerbock, ministre e Jashtme e Gjermanisë.
Ajo ka thënë se Qeveria ruse po shkel rendin ndërkombëtar “në sytë e botës”.
“Ukraina nuk ka bërë asgjë për të justifikuar këtë gjakderdhje. Kjo luftë supozohet se do të shkatërrojë mbi të gjitha një gjë: shpresën e njerëzve në Ukrainë që pas dekadash pa liri, ata kanë të drejtën për demokraci, të drejtën për paqe dhe të drejtën për të ardhme më të mirë pa shtypje. Presidenti Putin: Ju kurrë nuk do të jeni në gjendje të shkatërroni këtë ëndërr. Po rritet në Ukrainë. Po rritet edhe në vendin tuaj gjithashtu.
Rishkrimi i rrejshëm i historisë
Presidenti Putin ka paraqitur versionin e tij të historisë së Ukrainës, duke thënë në thelb se Ukraina ishte gjithmonë pjesë e Rusisë. Megjithëse kjo po i shërben qëllimit të tij, ky në fakt është trillim. Ukraina ka historinë e saj mijëravjeçare.
Ajo që tani është Ukraina ishte një rajon i kontestuar me kufij të ndryshuar për shekuj që nuk u vu plotësisht nën sundimin e Moskës deri në fund të shekullit të 18-të gjatë mbretërimit të Katerinës së Madhe dhe madje edhe atëherë Perandoria Ruse nuk ishte kurrë në gjendje ta gëlltiste atë lehtësisht a krejtësisht.
Në përpjekjen e tij të sotme për të rikthyer në orbitën e Rusisë një Ukrainë të pavarur me aspirata, pamje perëndimore, Putini po ndjek shtegun e rrahur nga sundimtarët e Rusisë që ishin para tij – nga Pjetri i Madh deri te Josef Stalini.
Duke vepruar sikur nuk kishte pasur kurrë një Ukrainë historike deri në kohën sovjetike, Putini fajësoi herë Vladimir Leninin, herë Josef Stalinin dhe në një moment shprehi përbuzjen për vendimin e Nikita Khrushchevit për të marrë Krimenë nga Rusia në vitin 1954 dhe për t'ia dhënë Ukrainës.
Ashtu si me të gjitha narrativat historike, kishte ca elemente të së vërtetës në atë që po thoshte Putini. Ukrainasit dhe rusët janë popuj sllavë lindorë, fatet e të cilëve kanë qenë të ndërthurur dhe të ndarë gjatë historisë.
Mirëpo ai preferoi të fokusohej në kohën e dominimit maksimal të Rusisë mbi Ukrainën – duke harruar qartë se ajo ka qenë një shtet i veçantë i njohur nga traktatet ndërkombëtare dhe në mënyrë eksplicite nga Rusia gjatë 30 vjetëve të fundit.
Si Ukraina, ashtu edhe Rusia po i kërkojnë rrënjët e veta në Kievan Rus, qendër tregtare e ngritur nga vikingët përgjatë Lumit Dnieper më shumë se 1.000 vjet më parë, para se Moska të ekzistonte, që fillimisht ishte pagane dhe më vonë përqafoi krishterimin ortodoks.
Në vend që të lidhej me Moskën ruse, e gjithë ajo që tani është Ukraina për shekuj me radhë ishte pjesë e Dukatit të Madh të Lituanisë nga vitet 1300 dhe më vonë e Bashkimit të Polonisë dhe Lituanisë, një shtet i madh shumëgjuhësh, multietnik, territori i të cilit përfshinte pothuajse të gjithë atë që tani është Polonia, Lituania, Bjellorusia dhe Ukraina (dhe pjesë të asaj që sot është Rusia).
Të pavarur nga Rusia
“Ukraina kishte një periudhë të shtetësisë dhe pavarësisë zyrtare ndërmjet viteve 1918 dhe 1921. Shteti nuk e kontrollonte mbarë Ukrainën, por ishte një shtet mjaftueshëm i fuqishëm sa për të sfiduar pushtimin e Ushtrisë së Kuqe ruse sovjetike. Në kohë të ndryshme, kryeqyteti Kiev kaloi gjashtëmbëdhjetë herë të ndryshme në duar të ushtrime të ndryshme”, ka theksuar Matt Pauly, profesor historie në Universitetin Shtetëror të Michiganit, duke shtuar se asaj që në të vërtetë i referohen konvencionalisht si lufta civile ruse, në fakt ishte luftë brenda Perandorisë Ruse.
“Ukrainasit kishin jetë të ndarë nga Rusia. Nga mesi deri në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, një pjesë e Ukrainës, jo e gjitha, u shkri pastaj në Rusinë cariste. Por ukrainasit nisën të luftonin për autonominë e tyre në shekullin nëntëmbëdhjetë. Dhe kjo lëvizje vetëm sa u gjallërua edhe më shumë në fillim të shekullit njëzetë pas revolucionit të vitit 1925. Dhe ukrainasit shpallën pavarësinë nga Rusia më 22 janar 1918”, ka thënë Pauly.
Polonia u ngrit përsëri pas Luftës së Parë Botërore dhe bëri një luftë territoriale me Rusinë Sovjetike midis viteve 1919 dhe 1922, duke rifituar pjesën më të madhe të Ukrainës. Ato toka u kthyen në kontrollin sovjetik një brez më vonë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Ndryshe nga Putini, shumica e ukrainasve nuk kërkojnë të jenë pjesë e Rusisë sot dhe ndjenja antiruse në pjesën më të madhe të vendit është rritur edhe më shumë që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe marrja e rajonit të Donbasit nga separatistët pro-Moskës.
Thirrja e ukrainasve
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, e ka quajtur fillimin e agresionit rus si një prej ditëve më të errët në historinë e moderne të Evropës.
“Jam lindur në vitin e ngritjes së Murit të Berlinit. Djali im, Marku, u lind në vitin e shembjes së tij. Ai tani është baba dhe unë jam gjysh dhe ai ka jetuar në një Evropë që po punonte çdo vit për paqen dhe përparimin”, ka kujtuar ai.
“Bashkimi Evropian ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm me integrimin me atë që më parë ishin nën kontrollin komunist, me ato vende që tani janë shtete të lira evropiane. Nuk mund të lejohet që ky proces të ndalet dhe të përmbyset. Nuk dua që nipat dhe mbesat të rriten në një botë ku Evropa ka një tjetër Perde të Hekurt”, ka theksuar ai, duke shtuar se kjo është vendosmëria që duhet ta tregojmë botërisht, sepse një Perde e Hekurt në Evropë padyshim se do të kishte efekt në mesin e gjithëve. “Duhet të besojmë në sundimin e rendit”.
Në adresimin e tij emocional për Parlamentin Evropian, presidenti i Ukrainës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’u dalë zot ukrainasve. Volodimyr Zelenskyy ka thënë të martën se bashkatdhetarët e tij po luftojnë për “të drejtat, lirinë dhe jetën e tyre”.
“Ne po luftojmë edhe që të jemi anëtarë të barabartë të Evropës. Unë besoj se sot ne po ia dëshmojnë gjithkujt se kush jemi. E kemi vërtetuar së paku se jemi saktësisht si ju”, ka deklaruar ai. “Andaj vërtetojeni se jeni me. Vërtetojeni se nuk do të na ktheni shpinën. Vërtetojeni se në të vërtetë jeni evropian. Dhe pastaj, jeta do të fitojë kundrejt vdekjes dhe drita kundrejt errësirës. Lavdi Ukrainës!”
Ukraina ka kërkuar edhe zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Burra, gra fëmijë po vdesin edhe njëherë për shkak se një lidë ri huaj, presidenti Putin, ka ndarë mendjen se vendi i tyre, Ukraina, nuk ka të drejtë të ekzistojë. Dhe ne kurrë, asnjëherë nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, dhe kurrë, asnjëherë nuk do ta pranojmë këtë”, ka deklaruar Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian. “Prej mënyrës se si do të kundërpërgjigjemi ndaj asaj çfarë po bën Rusia, do të përcaktojë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar”.
“Falë Zotit jam gjallë edhe sot”
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, atëherë më shumë se pesë milionë ukrainas pritet të largohen nga vendi. Shtetet fqinje, si Rumania, Polonia, Moldavia, tashmë kanë pranuar qindra mijëra refugjatë. Shumica prej tyre, gra e fëmijë.
“Fal Zotit që mund ta mbroj familjen time tani, por nuk doja të lëshoja vendin tim, sepse kam gjithçka në vendin tim. Kam gjithçka në qytetin tim, kam gjithçka, por më duhet të gjej një shteg se si të mbroj familjen time”, ka thënë Julia, 32 vjeçe, nga Odesa, pasi ka kaluar në Moldavi. “Kam djalin dhe natyrisht se jam nënë, thjesht dua të mbroj djalin tim, sepse vërtetë dua që ndoshta në të ardhmen ai të ketë jetë më të mirë se tani. Ai është i frikësuar, po qan gjatë gjithë kohës”.
Ajo ka thënë se në UKrainë kë lënë shumë miq, me të cilët ka biseduar në telefon para se të largohej nga shtëpia. “Kam shumë miq dhe të afërm në qytete të ndryshme në vendin tim dhe shumë prej tyre i kam telefonuar dhe i kam pyetur ‘si jeni sot?’ dhe a e dini cila ishte përgjigja që e kam dëgjuar më së shumti? ‘Falë Zotit jam gjallë. Falë Zotit jam gjallë edhe sot’”, ka theksuar Julia me djalin në duar. “Kështu që si mund t’i mbroj ata? Thjesht dua të mbroj rajonin tonë, thjesht dua të mbroj tokën tonë, thjesht dua të mbroj vendin tonë”.
Yulia Shevchenko, nga Odesa, ka thënë për AP-në: “Nëna ime është plakë, është 77 vjeçe, dhe ka një mace. Ajo nuk dëshiron ta lërë macen në shtëpi, sepse është e vështirë dhe ajo beson se do të ketë të përfundim të mirë të këtij tmerri. Burrat nuk mund të vijnë, ata janë në Odesa”.
Në kufirin me Poloninë, Alina Griniuk, ka dalë me pak plaçka në shpinë dhe djalin në krah. “Ne qëndruam dy ditë në pikën kufitare. Kishte kaos në trafik. Ishim aty me fëmijë, por kishte vullnetarë. Ata na dhanë çaj dhe ushqim”, ka treguar ajo.
“Unë po kthehem të luftoj në vendlindje”
Qeveria ukrainase ua ka ndaluar të gjithë burrave nga 18 deri në 60 vjeç që të largohen nga vendi pas nisjes së mobilizimit të përgjithshëm. Ukrainasit të lindur e rritur në diasporë po kthehen në vendin e rrënjëve për të rrokur armët krah bashkatdhetarëve që po e luftojnë njërën prej fuqive më të mëdha ushtarake të botës, që po kërcënon edhe me përdorim të armëve bërthamore ndaj kujtdo që guxon të ndërhyjë në Ukrainë.
“Është vendi ynë dhe ne e duam ne duhet të jemi atje, dhe më pëlqen puna si vullnetare, ta zëmë të ndihmoj njerëzit të cilët duhet të strehohen. Kjo është arsyeja dhe nuk kam çfarë të shtoj”, ka theksuar Olena, rrugës së kthimit në vendlindje bashkë me të dashurin e saj.
“Po shkoj se në Ukrainë kam familjen, fëmijët, atje ka luftë. Duhet të kthehem në atdhe”, ka thënë një burrë në të pesëdhjetat, pa treguar emrin. “A po frikëosheni”, e ka pyetur reporteri i AP-së. “ Jo nuk po frikësohem, gjithçka do të jetë në rregull”.
Perëndimi izolon edhe sportin e kulturën ruse
Putini ka përsëritur disa herë Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë për të rrëzuar Qeverinë, sikur se ka thënë nazifashiste të Zelenskyyt, i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike, por bombardimet ruse nuk kanë kursyer as Memorialin e Holokaustit në Ukrainë, në shenjë kujtimi për njërin prej krimeve më të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sulmi ka nxitur reagimin e Izraelit, i cili e ka dënuar bombardimin e qendrës përkujtimore.
Pos sanksioneve që bota demokratike i ka vendosur Moskës zyrtare dhe oligarkëve të korruptuar, besnikë të Putinit, Perëndimi ka izoluar edhe kulturën dhe sportin rus. Studiot më të mëdha televizive të Hollyëoodit kanë ndaluar emetimin e filmave në Rusi për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Kremlini po izolohet edhe në aspektin diplomatik. Shefi i politikës së jashtme, Sergei Lavrov, njëri prej mbrojtësve më të fuqishëm të pushtimit të Ukrainës, është turpëruar gjatë javës në takimin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë, ku pothuajse të gjithë përfaqësuesit e shteteve lëshuan përnjëherë sallën me të nisur fjalimi i tij.
Përgatiti: Rexhep Maloku