Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini ia lë fajin Perëndimit për luftën në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin beson se Rusia nuk mund të fajësohet për luftën në Ukrainë, duke shtuar se të dyja vendet janë duke e ndarë “tragjedinë e njëjtë”.

Përmes një adresimi me oficerë të ushtrisë, presidenti rus ka thënë se ai vazhdon ende ta shoh Ukrainën si “komb-vëlla”.

Ai ka thënë se konflikti ka ardhur si pasojë e “politikës nga shtetet e treta dhe jo për shkak të asaj ruse”, shkruan BBC.

Putini pretendoi se Perëndimi kishte “shpërlarë trurinë” republikave post-sovjetike, duke filluar nga Ukraina.

Ai tha “për vite, ne u përpoqëm të ndërtonim marrëdhënie të mira fqinjësore me Ukrainën, duke ofruar kredi dhe energji të lirë, por nuk funksionoi. Nuk ka asgjë për të na akuzuar. Ne kemi parë gjithmonë ukrainasit si një popull vëllazëror dhe unë ende mendoj kështu. Ajo që po ndodh tani është një tragjedi, por nuk është faji ynë”, ka thënë ai.

Gjatë fjalimit zyrtarët ushtarakë u zotuan të vazhdojnë të ashtuquajturin “operacion special ushtarak” deri në vitin 2023.

Putini shtoi se nuk kishte kufi për sasinë e parave që Rusia ishte e gatshme të shpenzonte.

Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu propozoi rritjen e kufirit të moshës për shërbimin e detyrueshëm ushtarak rus.

Sipas ligjit aktual, rusët e moshës 18-27 vjeç mund të thirren për shërbimin e detyrueshëm ushtarak -Shoigu tani po propozon që kjo të vlejë edhe për qytetarët e moshës 21-30 vjeç.

Shoigu njoftoi gjithashtu planet për të krijuar baza në dy qytete port - Berdyansk dhe Mariupol - të kapura gjatë ofensivës ruse.

Fjalimi erdhi ndërsa udhëheqësi ukrainas Volodmyr Zelensky udhëtoi për në Kapitolin e SHBA-së në Washington.

Kjo është vizita e tij e parë jashtë Ukrainës që nga pushtimi i Rusisë 10 muaj më parë.

Artikuj të ngjashëm