Një nga aleatët më të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Moska tani po lufton aleancën ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ukrainë dhe se Perëndimi po përpiqet ta fshijë Rusinë nga harta politike e botës, raportoi Reuters.
Putini e konsideron luftën në Ukrainë si betejë ekzistenciale me një Perëndim agresiv dhe arrogant dhe ka thënë se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për ta mbrojtur veten dhe popullin e saj.
Sekretari i Këshillit të Sigurimit rus, Nikolai Patrushev, shihet nga diplomatët si një nga ndikimet kryesore të vijës së ashpër ndaj Putinit, i cili ka premtuar fitore në Ukrainë, pavarësisht nga një sërë pengesash në fushën e betejës.
"Ngjarjet në Ukrainë nuk janë përplasje midis Moskës dhe Kievit - ky është një konfrontim ushtarak midis Rusisë dhe NATO-s dhe mbi të gjitha Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë", tha Patrushev në një intervistë. “Planet e perëndimorëve janë që të vazhdojnë ta shkëputin Rusinë dhe përfundimisht ta fshijnë atë nga harta politike e botës”, shtoi Patrushev.
Shtetet e Bashkuara kanë mohuar pretendimet ruse se duan ta shkatërrojnë Rusinë, prodhuesin më të madh në botë të burimeve natyrore, ndërsa presidenti Joe Biden ka paralajmëruar se një konflikt midis Rusisë dhe NATO-s mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore.
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
I pyetur për komentet e Patrushev, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë pjesë e konfliktit të Ukrainës.
“De facto ata tashmë janë bërë një palë indirekte në këtë konflikt, duke pompuar Ukrainën me armë, teknologji, informacione të inteligjencës e kështu me radhë”, tha Peskov në një konferencë të rregullt për mediat.