Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka thënë se ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili dha urdhrin për atentatin ndaj Qassem Soleimanit, ish-komandantit të Forcës Kuds, "do të harrohet në koshin e mbeturinave pasi të paguajë çmimin për vrasjet e tij në botë".
Khamenei u takua me familjarët e Soleimanit përpara 2-vjetorit të vrasjes së komandantit iranian i cili humbi jetën në një sulm ajror të SHBA-së më 3 janar në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.
Khamenei kërcënoi Trumpin dhe mbrojti idenë e tij se Qassem Soleimani është bërë një person i cili merret shembull nga të rinjtë në rajon.
"Vrasësit e Qassem Soleimanit, Trump dhe të tjerët si ai do të harrohen në koshin e mbeturinave pasi të paguajnë çmimin për vrasjet e tyre në botë", deklaroi Khamenei.
Ai ka thënë se SHBA-ja u largua nga Afganistani ndërsa në Irak ka prani ushtarake në nivel këshillues.
"Vëllezërit tanë në Irak duhet ta ndjekin në mënyrë të kujdesshme këtë çështje. Fronti i rezistencës në Jemen po përparon. Edhe në Siri armiku nuk është shpresues nga e ardhmja. Fronti i rezistencës është më shpresues në të gjithë rajonin", theksoi Khamenei.