Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Njoftimi është dhënë në kohën kur me të madhe është ngritur numri i rasteve me Omicron në Serbi dhe në rajonin e Ballkanit.
Porfirije ka përjetuar shenja të buta të infektimit me virus dhe vazhdon të mbetet në izolim. Kisha thotë se patriarku do t’i kryejë detyrat e tij administrative pa asnjë problem. 60-vjeçari u zgjodh në krye të Kishës Ortodokse Serbe pasi pararendësi, Irinej, vdiq në nëntorin e vitit 2020 pasi ishte infektuar me koronavirus.
Diagnoza e Porfirijes është mësuar pas pjesëmarrjes së tij në ceremoninë ilegale të shënimit të tridhjetëvjetorit të Republika Srpskas në Banjallukë të Bosnjës. Serbia ka raportuar nëntë mijë infektime të reja të hënën në shtetin prej shtatë milionë banorësh. Numri i rasteve ditore është ngritur theksueshëm pas aktiviteteve të mëdha për festat e fundvitit.