Botë

Lavrov: Gjermania tashmë pjesëmarrëse në luftën Rusi-Ukrainë

Sergei Lavrov

Foto: Associated Press

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar të mërkurën se plani i Gjermanisë për të zhvilluar raketa me rreze të gjatë veprimi së bashku me Ukrainën, si dhe për ta furnizuar Kievin zyrtar me tanke, tregojnë se vendi evropian është tashmë pjesëmarrës në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Tek iu përgjigj pyetjes së një gazetari nga televizioni shtetëror rus, ai ka thënë se vendimi i Berlinit po i kontribuon “ndërtimit të tensioneve”, porse ka shtuar se shpreson që “politikanët e përgjegjshëm” në Gjermani “do të arrijnë në përfundimet e duhura dhe do ta ndalojnë këtë çmenduri”.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksy të mërkurën në Berlin, ka bërë të ditur se qeveria e tij nuk do të vendosë kufizime mbi rrezen e veprimit të raketave që mund të prodhohen në Gjermani dhe Ukrainë, ka raportuar The Guardian.

“Ministrat tanë të Mbrojtjes do të nënshkruajnë sot një memorandum mirëkuptimi në lidhje me prokurimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë të prodhuara në Ukrainë”, ka thënë Merz, ndonëse nuk ka përmendur prodhuesit e përfshirë.

“Prodhimi i armëve me rreze të gjatë mund të bëhet si në Ukrainë ashtu edhe këtu në Gjermani”, ka shtuar ai.