Botë

Lavrov: Anëtarët e KS të OKB-së duhet të jenë garantues sigurie për Ukrainën

Sergei Lavrov

Foto: Associated Press

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të dielën se një grup kombesh, përfshirë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duhet të jenë garantues të sigurisë së Ukrainës.

Reuters ka raportuar javën e kaluar se presidenti, Vladimir Putin po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga i gjithë rajoni lindor i Donbasit, të heqë dorë nga ambiciet për t'u bashkuar me NATO-n, të mbetet neutrale dhe të mbajë trupat perëndimore jashtë vendit.

Lavrov i ka thënë "Meet the Press" të NBC News se Putini dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump kanë diskutuar çështjen e një garancie sigurie për Ukrainën dhe se Putini kishte ngritur çështjen e diskutimeve të dështuara të Stambollit të vitit 2022.

Në ato diskutime, Rusia dhe Ukraina diskutuan neutralitetin e përhershëm të Ukrainës në këmbim të garancive të sigurisë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së: Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, dhe vende të tjera, sipas një kopjeje të një draft-marrëveshjeje të parë nga Reuters në vitin 2022.

Lavrov i ka thënë NBC-së se një grup që përfshin anëtarë të Këshillit të Sigurimit duhet të garantojë sigurinë e Ukrainës. Grupi mund të përfshijë gjithashtu Gjermaninë, Turqinë dhe vende të tjera, ka thënë Lavrov.

"Dhe garantuesit do të garantojnë sigurinë e Ukrainës, e cila duhet të jetë neutrale, e cila duhet të mos jetë e lidhur me asnjë bllok ushtarak dhe e cila duhet të jetë jo-bërthamore", ka thënë Lavrov, sipas një transkripti të intervistës të publikuar nga ministria e Jashtme.

Lavrov gjithashtu e ka bërë të qartë se anëtarësimi në NATO për Ukrainën është i papranueshëm për Rusinë, se Rusia donte mbrojtje për rusishtfolësit në Ukrainë dhe se kishte një diskutim territorial që duhej të zhvillohej me Ukrainën.