Botë

Larry Ellison bëhet njeriu më i pasur në botë

Larry Ellison

Themeluesi i kompanisë teknologjike Oracle, Larry Ellison, është bërë njeriu më i pasur në botë të mërkurën në mëngjes, pasi aksionet e kompanisë pësuan një rritje prej mbi 40 për qind.

Sipas të dhënave të Bloomberg, pasuria e Ellisonit arriti në afro 400 miliardë dollarë deri në orën 10:00 të mëngjesit, duke e lënë pas Elon Muskun, themeluesin e Teslas, i cili deri më tani mbante vendin e parë. Musk aktualisht ka një pasuri rreth 385 miliardë dollarë.

Pas Ellisonit dhe Muskut në listën e më të pasurve renditen themeluesi i Metas, Mark Zuckerberg, ai i Amazonit Jeff Bezos, dhe bashkëthemeluesit e Google, Larry Page dhe Sergey Brin, shkruan NBC.

Rritja e shpejtë e pasurisë së Ellisonit vjen në kohën kur ai dhe familja e tij po zgjerojnë praninë në sektorët e inteligjencës artificiale, medias dhe politikës.

Aksionet e Oracleit u rritën ndjeshëm pas njoftimit të kompanisë për një backlog mbi 450 miliardë dollarë për shërbimet cloud dhe kontratat shumë-miliardëshe me kompani të njohura të inteligjencës artificiale si Nvidia dhe OpenAI – mbështetësja e ChatGPT.

“Në muajt e ardhshëm presim të nënshkruajmë disa kontrata të tjera shumëmiliardëshe,” thuhet në deklaratën e Oracle. Kompania parashikon që kjo shifër së shpejti do të kalojë gjysmën e trilionit dollarë.

Familja Ellison gjithashtu ka zgjeruar praninë në industrinë e medias, pasi djali i Larryt, David Ellison, ka finalizuar së fundmi blerjen e kompanisë Paramount Global – pronare e CBS dhe MTV – për 8 miliardë dollarë. Sipas CNBC, 6 miliardë nga kjo shumë janë financuar nga pasuria e familjes Ellison.