Sistemi energjetik i Kubës ka pësuar një kolaps të plotë të hënën, tha operatori i energjisë i vendit, duke shënuar ndërprerjen më të fundit mbarëkombëtare në vitet e fundit dhe të parën që nga momenti kur SHBA-ja në mënyrë efektive ndaloi rrjedhën e naftës drejt Kubës, transmeton “CNN”.
Përpjekjet janë duke vazhduar për të rikthyer energjinë në të gjithë ishullin, tha operatori shtetëror.
Ndërprerje të energjisë në shkallë kombëtare janë raportuar shpesh gjatë viteve të fundit. Zyrtarët kubanë më parë ia kanë atribuuar ato sanksioneve ekonomike të SHBA-së, megjithëse kritikët kanë fajësuar gjithashtu mungesën e investimeve në sistemin e dëmtuar të prodhimit të energjisë në ishull.
Kuba mbështetet shumë në naftë për prodhimin e energjisë elektrike. Bllokada efektive e dërgesave të karburantit ka përkeqësuar krizën energjetike të vendit, duke shkaktuar ndërprerje të herëpashershme të energjisë, kufizim të furnizimeve mjekësore dhe rënie të turizmit, kanë thënë zyrtarët. Çmimet e karburantit janë rritur aq shumë sa mund të kushtojë deri në 300 dollarë në tregun jozyrtar për ta mbushur rezervuarin e një makine.
CNN-i ka kontaktuar me Shtëpinë e Bardhë për koment.
Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel tha të premten se në ishull nuk është dërguar asnjë naftë gjatë tre muajve të fundit. Ai gjithashtu tha të premten se zyrtarët kubanë kanë zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara për të “identifikuar problemet dypalëshe që kanë nevojë për zgjidhje.”
-
Kuba goditet për herë të dytë brenda një jave nga ndërprerja e energjisë elektrike
-
Presidenti i Kubës i përgjigjet Trumpit lidhur me deklaratën e tij për marrjen e ishullit
-
Kuba dënon sanksionet e reja të SHBA-së: Të paligjshme dhe abuzive
-
Kuba liron 2010 të burgosur ndërsa SHBA-ja ushtron presion ndaj qeverisë së saj
-
Mbërrin në Kubë një anije ruse me naftë pas një bllokade tremujore nga SHBA-ja