Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryeministri sllovak thotë se do ta vërë veton ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO

Kryeministri sllovak Robert Fico ka thënë se Sllovakia kundërshton pranimin e Ukrainës në NATO dhe është e gatshme, nëse është e nevojshme, të vërë veton ndaj këtij vendimi.

Fico njoftoi se do të udhëtojë në Ukrainë të mërkurën, më 24 janar, për t'u takuar me homologun e tij Denys Shmyhal në qytetin kufitar Uzhhorod.

“Unë do t'i them atij se ne do të bllokojmë dhe do të vëmë veton ndaj pranimit të Ukrainës në NATO, sepse kjo nuk do të ishte gjë tjetër veçse baza për luftën e tretë botërore”, ka thënë Fico për radion publike sllovake RTVS.

Sllovakia, e cila u bë anëtare e NATO-s në vitin 2004, ishte një nga mbrojtëset më të forta të Ukrainës në konfliktin me Rusinë që shpërtheu më 24 shkurt 2022.

Megjithatë, kur qeveria e majtë e udhëhequr nga Fico erdhi në pushtet në tetor të vitit të kaluar, vendosi të mos furnizonte më me armë Kievin, megjithëse Bratislava vazhdon të dërgojë sisteme të çminimit dhe gjeneratorë me naftë në rast të një sulmi rus ndaj termocentraleve.

Fico përsëriti se Sllovakia nuk do të dërgojë më armë nga rezervat e saj ushtarake në vendin fqinj, por do të vazhdojë të lejojë kompanitë e mbrojtjes sllovake të shesin armë.