Kryeministri japonez, Fumio Kishida ka ripërsëritur premtimin e tij të paqes, të martën, në 78-vjetorin e humbjes së saj në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë një fjalimi para zyrtarëve të mbledhur në Nippon Budokan në Tokio, Kishida ka thënë se Japonia “do t’i përmbahet vendosmërisë sonë për të mos përsëritur kurrë tragjedinë e luftës”.
Kishida nuk përmendi agresionin japonez në të gjithë Azinë në gjysmën e parë të viteve 1900 apo viktimat e tij në rajon, si vitin e kaluar, pas një precedenti të vendosur nga kryeministri i atëhershëm Shinzo Abe në 2013-n, në atë që kritikët e tij e panë si një lëvizje për të zbardhur brutalitetin e Japonisë gjatë kohës së luftës.
Ai ka folur për dëmet në tokën e Japonisë, duke përfshirë bombardimet atomike të SHBA-së në Hiroshima dhe Nagasaki, bombardimet tjera në të gjithë Japoninë, betejën e përgjakshme tokësore në Okinawa dhe vuajtjet e popullit japonez. Ai shtoi se Japonia do të respektojë premtimin e saj për paqen e pasluftës dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me botën për të trajtuar çështjet globale.
Ndërsa Perandori Naruhito përsëriti “pendimin e thellë” të tij për veprimet e Japonisë gjatë kohës së luftës. Rreth 1.700 pjesëmarrës mbajtën një minutë heshtje në mesditë gjatë ceremonisë së mbajtur në arenën Budokan.