Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryeministri i ri francez ndërron ministrin e Punëve të Jashtme

Qeveria e re e kryeministrit francez, Gabriel Attal, ka njoftuar për ndërrimin e ministrit të Punëve të Jashtme, teksa anëtarët e tjerë të kabinetit kanë mbetur të njëjtit. Stéphane Séjourné është emëruar ministër e Punëve të Jashtme dhe zëvendëson Chaterine Colonna.

Séjourné është shefi i Partisë së Renesancës dhe lider i grupit të ri të liberalëve evropianë në Parlamentin Evropian. Emërimi i ministrit të ri do të thotë se qeveria e Macronit tani nuk ka asnjë grua në postet kryesore, ani pse Macroni ka premtuar barazi gjinore në postet qeverisëse.

Ministrat e Punëve të Brendshme, Financave, të Mbrojtjes dhe Drejtësisë kanë mbetur të njëjtit. Anëtarët e tjerë të qeverisë kanë marrë miratimin e 34-vjeçarit Attal, i cili u bë kryeministri më i ri në moshë në Francë.

Ai u emërua të martën si shef i qeverisë në bazë të planeve të Macronit për rrugëtimin e ri për pjesën e mbetur të mandatit dhe pas presionit të madh politik nga e djathta ekstreme.