Botë

Kryediplomati kinez: Nuk do të qëndrojmë duarkryq për luftën në Ukrainë

Ministri i jashtëm kinez, Wang Yi, deklaroi se Kina nuk është palë në luftën në Ukrainë, mirëpo as nuk do të qëndrojë duarkryq në këtë pushtim rus.

Siç raportoi “Anadolu Agency” të hënën, Yi i tha homologut hungarez Peter Szijjarto në një bisedë telefonike se Kina “nuk do t’i hedhë benzinë zjarrit”, duke shtuar se “gjithmonë dhe me këmbëngulje do të promovojë paqen”.

“Për hir të interesave afatgjata, të gjitha palët duhet të eksplorojnë ndërtimin e një arkitekture sigurie evropiane të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme për të arritur paqen dhe sigurinë”, tha ai.

Kryediplomati kinez potencoi se palët “duhet të mësojnë seriozisht nga mësimet e kaluara të Ukrainës”, derisa tha se pos ndikimit serioz në Evropë, kriza ka prodhuar efekt në mbarë botën.

Szijjarto i tha Yis se Kina nuk ka qenë kurrë rivale e Evropës, “por një partnere që sjell mundësi bashkëpunimi”.

“Hungaria do të vazhdojë t'i përkushtohet promovimit të bashkëpunimit BE-Kinë që përmban respekt reciprok, drejtësi dhe përfitim reciprok”, tha ministri i jashtëm i Hungarisë.