Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë të premten se udhëheqësit e Republikës Islamike nuk do të zhvillojnë bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që, sipas tij, Amerika është “partnere në krimet e Izraelit kundër Iranit”, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Sipas Reutersit, Aragchi ka thënë para televizionit shtetëror iranian se “nuk ka hapësirë për negociata me neve derisa Izraeli ta ndalojë agresionin”.
Të enjten, burime diplomatike të afërta po ashtu me Reutersin, kishin kumtuar se i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe Aragchi, kishin biseduar disa herë në telefon qëkur Izraeli i filloi sulmet ushtarake në Iran javën e kaluar.
Sipas këtyre burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti mbi çështjen në fjalë, aludohet se Aragchi ia ka theksuar në vazhdimësi Witkoffit se Teherani zyrtar mund të tregojë fleksibilitet rreth çështjes së programit të tij bërthamor, por vetëm në rast se Washingtoni i bën presion Izraelit që t’i jap fund luftës.
Gjatë ditës së premte (sot) ministrat e jashtëm evropianë do të takohen me kryediplomatin iranian në Gjenevë të Zvicrës në përpjekje e sipër për ta depërshkallëzuar konfliktin.
Nëse takimet shkojnë sipas planit, ato do të jenë të parat në tavolinë mes Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga nisja e luftimeve.
