Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kriza energjetike, BE-ja i fton shtetet të kursejnë

Bashkimi Evropian ka ftuar shtetet anëtare të kursejnë gaz në mënyrë që të mund të kalohet dimri pak më lehtë.

Planet për akumulimin e gazit në objektet e magazinimit u penguan për shkak të reduktimit së furnizimit nga Gazpromi.

Evropa nuk po mund të gjejë furnizues alternativ për tërë vëllimin rus, e për këtë, Komisioni Evropian rekomandoi që 27 vendet anëtare të nisin reduktimin e konsumit nga tani, tre muaj para nisjes së sezonit të ngrohjes.

“Pothuajse gjysma e vendeve anëtare të BE-së tashmë kanë mungesë të gazit nga Rusia. Duke ndërmarrë veprime sot, ne po reduktojmë rrezikun e ngritjes së çmimit e të një reduktimi edhe më të madh. Madje edhe një ndërprerjeje të plotë”, thanë komisioneri evropian Paolo Gentiloni, përcjell BBC-ja të mërkurën.

Për shkak të luftës energjetike me Rusinë, ekonomia e Bashkimit Evropian po ngadalësohet. BE-ja i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, e si kundërpërgjigje Rusia ka pakësuar dërgesat e gazit.

Komisioni Evropian tha se është përkeqësuar parashikimi ekonomik, duke pranuar se ekonomia e dytë më e madhe në botë pas SHBA-së, nuk do të rritet fare në gjysmën e dytë të vitit.

Edhe Kriza e re energjetike godet rëndë Evropën Botë Kriza e re energjetike godet rëndë Evropën

“Agresioni i paprovokuar i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon ta dëmtojë ekonominë botërore”, tha Gentiloni. “Veprimet e Moskës destabilizojnë tregjet e energjisë dhe të ushqimit, rrisin çmimet dhe privojnë konsumatorët nga besimi në të ardhmen”.

Lufta ndaj kësaj krize energjetike nuk po konsiderohet e lirë. Bashkimi Evropian, sipas BBC-së, nuk mund t’i gjejë 300 miliardë euro, të premtuara në fillim të pushtimit, për zhvillimin e ekonomisë e për të hequr dorë nga burimet energjetike ruse. Për pasojë, shumë kompani energjetike evropiane kanë probleme masive me furnizim e prodhim, me ç’rast kjo do t’i kushtojë “kurrizit” të taksapaguesve.

Tri vjet më parë, Gazpromi rus e furnizonte Evropën deri në 500 milionë metra kub në ditë. Në maj të 2022-s, e furnizoi me 250 milionë në ditë. Në nisje të korrikut ishin 140 milionë, e nga 14 korriku, u regjistrua furnizimi më i ulët ndonjëherë: 80 milionë metra kub në ditë.