Botë

Kriza e gazit në Evropë pritet të thellohet pasi të mbarojë dimri

Kriza e gazit në Evropë pritet të thellohet pasi gjatë muajve të ftohtë të dimrit rezervat do të mbarojnë, ka shkruar të mërkurën Reuters.

Pavarësisht vështirësive në të cilat do të haset Evropa gjatë muajve të ftohtë të dimrit, sfida e vërtetë pritet të fillojë në shkurt ose mars, kur magazinimi duhet të mbushet sërish, pasi kërkesa e lartë gjatë dimrit i zbrazë ato për rreth 30 për qind.

Vendet evropiane kanë mbushur rezervuarët e magazinimit në rreth 90 për qind të kapaciteteve të tyre, pasi Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz në përgjigje të sanksioneve perëndimore të vendosura për agresionin e saj në Ukrainë.

Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e një tavani të çmimit të gazit për të ndihmuar në lehtësimin e situatës.

“Ky dimër është i vështirë, por dimri i ardhshëm pritet të jetë akoma më i vështirë”, ka thënë në një adresim për media në Finlandë, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë me bazë në Paris, Fatih Birol.