Botë

Kremlini po pret “ta shohë” nëse fitorja e Trumpit do të ndihmojë në fundin e luftës në Ukrainë

Vladimir Putin

Rusia ka reaguar pasi Donald Trump është zgjedhur president i ri i SHBA-së. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se SHBA-ja mbetet “një shtet armiqësor dhe vetëm koha do të tregojë nëse retorika e Trumpit për përfundimin e luftës në Ukrainë do të kthehet në realitet”, transmeton “Reuters”. 

“Të mos harrojmë se po flasim për një vend jomik, i cili është përfshirë si direkt ashtu edhe indirekt në luftën kundër shtetit tonë (në Ukrainë)”, ka thënë Peskov për gazetarët. 

Ai tha se nuk është në dijeni nëse presidenti rus Vladimir Putin ka plan ta urojë Trumpin për fitoren e tij dhe se marrëdhëniet me Washingtonit janë në nivelin më të ulët ndonjëherë. 

“Ne kemi thënë vazhdimisht se SHBA-ja është në gjendje të kontribuojë në përfundimin e këtij konflikti. Kjo nuk mund të bëhet brenda natës, por...SHBA-ja është në gjendje të ndryshojë trajektoren e saj të politikës së jashtme. A do të ndodhë kjo dhe nëse po, si...do të shohim pas (inaugurimit të presidentit të SHBA-së në) janar”, tha Peskov.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se Moska “nuk ka iluzione për Trumpin”, duke shtuar se ka një qëndrim dypartiak antirus në mesin e elitës qeverisëse të SHBA-së. 

“Rusia do të punojë me administratën e re kur ajo ‘të zë vend’ në Shtëpinë e Bardhë, duke mbrojtur ashpër interesat kombëtare ruse dhe duke u fokusuar në arritjen e të gjitha objektivave të vendosura të operacionit special ushtarak (në Ukrainë)”, është thënë nga Ministria e jashtme e Rusisë. 

E kreu i Fondit sovran rus, Kirill Dimitriev ka thënë se fitorja e Trumpit “hap mundësi të reja për rivendosjen e marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së”. 
 

Lexo përditësimet tjera
trump

Trumpi zgjidhet president i SHBA-së