Donald Trump është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ka tejkaluar shifrën e 270 votave elektorale, duke shënuar rikthim të jashtëzakonshëm në politikë. Me një diferencë të madhe e ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris. Trump do të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së.
Harrisi pranon humbjen, zotohet të luftojë për premtimet në fushatë
Kandidatja demokrate Kamala Harris ka mbajtur fjalim pas humbjes në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo pranoi humbjen, por u zotua të luftojë për premtimet që i bëri gjatë fushatës.
Harrisi u bëri thirrje demokratëve ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ndonëse theksoi se nuk ishte ai që prisnin.
“Zemra ime është plot sot. Plot mirënjohje për besimin që më keni dhënë, plot dashuri për vendin tonë dhe plot vendosmëri. Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk është ai që donim, nuk është ai për të cilin luftuam, nuk votuam, por nuk do të dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë”, ka thënë ajo.
“Tani, e di që njerëzit po ndiejnë dhe po përjetojnë një sërë emocionesh. E kuptoj, por duhet të pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Shpresoj që SHBA-ja të mos hyjë në epoka të errëta”, ka shtuar zëvendëspresidentja.
Ajo tutje bëri të ditur se ka folur për Trumpin që të ketë “transferim paqësor të pushtetit”.
Bideni fton Trumpin në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Joe Biden e ka telefonuar Donald Trumpin për t’ia uruar fitoren dhe e ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë për ta diskutuar transferimin e pushtetit.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se për këtë çështje do të koordinohet një datë “në të ardhmen e afërt”.
Bideni nesër do të mbajë fjalim për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve.
Ai ka telefonuar edhe Kamala Harrisin për ta uruar për kampanjën.
Përveç garës për president, republikanët e kanë marrë edhe kontrollin e Senatit.
Trumpi drejt një tjetër arritjeje historike
Donald Trump ka siguruar mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës falë votave elektorale. Por diçka tjetër po i sjell atij triumfin që rrallëherë shihet ndër republikanët. Trumpi është rrugës për t’u bërë presidenti i parë republikan që fiton votën popullore, në 20 vjetët e fundit.
Këtë kishte dështuar ta bënte më 2016 kur e mori mandatin. Kjo kishte nxitur ankesa te Partia Demokratike se vota elektorale nuk është demokratike dhe e zbeh votën popullore. Por dinamika ka ndryshuar. Republikani i fundit që kishte fituar votën popullore ishte George W Bush më 2004, kur u zgjodh edhe për mandatin e dytë.
Përderisa votat nuk janë numëruar ende, Trumpi ka diferencë të theksuar në votën popullore karshi kandidates demokratike, Kamala Harris.
Sipas raportimeve të “Associated Press”, Trumpi ka fituar gati 72 milionë vota e Harrisi 67 milionë. Kjo mund të ndryshojë deri në fund.
Vota elektorale është ajo që përcakton fituesin e zgjedhjeve. Në sistemin në SHBA janë 538 vota elektorale. Ai që merr 270 shpallet fitues. Secili nga 50 shtetet ka numër të caktuar të votave elektorale në atë që quhet Kolegji Elektoral. Nëse një kandidat fiton votën popullore të një shteti të caktuar, ai i merr të gjitha votat elektorale të atij shteti në Kolegj.
Trumpi u pajtua me Harrisin “për rëndësinë e unifikimit të Amerikës”
Ekipi i Donald Trumpit ka publikuar detaje të telefonatës me Kamala Harrisin të mërkurën, ku zëvendëspresidentja ia uroi fitoren kandidatit republikan.
“Presidenti Donald J. Trump dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris folën në telefon më herët sot, ku ajo e uroi për fitoren historike. Presidenti Trump e vlerësoi zëvendëspresidenten Harris për forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen e saj gjatë gjithë fushatës dhe të dy liderët ranë dakord për rëndësinë e unifikimit të Amerikës”, ka thënë në një deklaratë drejtori i komunikimit të fushatës, Steven Cheung.
Harrisi ia uron fitoren Trumpit
Kandidatja demokrate Kamala Harris e ka telefonuar presidentin e sapozgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’ia uruar fitoren, raporton “AP”.
Në telefonatë u diskutua rëndësia e transferimit paqësor të pushtetit te Trumpi përpara se Harrisi të mbajë fjalim për pranim të humbjes.
Thellohet epërsia e Trumpit
Donald Trumpi e ka fituar edhe një shtet të papërcaktuar, duke thelluar edhe më tej epërsinë ndaj kandidates demokrate Kamala Harris.
Republikani Trump është projektuar të fitojë Michiganin, që ka 15 vota elektorale.
Trumpi veçse ka shpallur fitoren. Deri tash ka 292 vota elektorale kundrejt 224 të Harrisit.
Një kandidati i nevojiten 270 vota elektorale për t’u bërë president.
Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Kinën
Kthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të riformësojë politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke premtuar ndryshime potencialisht radikale në fronte të shumta, ndërsa lufta dhe pasiguria pushtojnë pjesë të botës, shkruan BBC.
Gjatë fushatës, Trumpi bëri premtime të mëdha politike, shpesh pa detaje specifike, bazuar në parimet e mosndërhyrjes dhe proteksionizmit tregtar - ose siç e thotë ai “Amerika e para”.
Çka do të ndryshojë gjatë mandatit të ri të tij, bazuar nga premtimet në fushatë dhe historiku sa ishte president në mandatin e parë 2017 – 2021.
Rusia, Ukraina dhe NATO
Gjatë fushatës, Trumpi ka thënë vazhdimisht se mund t'i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës “brenda një dite”. Kur u pyet se si, ai deklaroi se do të ndodhte përmes një marrëveshjeje, por nuk ka pranuar të japë detaje.
Sipas një dokumenti të shkruar nga dy ish-shefat e sigurisë kombëtare të Trumpit thuhet se SHBA-ja do ta vazhdojë furnizimin me armë në Ukrainë, por ta kushtëzojë mbështetjen me hyrjen e Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë.
Për të joshur Rusinë, Perëndimi do ta vononte hyrjen e shumëkërkuar të Ukrainës në NATO. Ish-këshilltarët thanë se Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga shpresat për të rikthyer të gjithë territorin nga pushtimi rus, por se duhet të negociojë bazuar në linjat aktuale të frontit.
Kundërshtarët demokratë të Trumpit, të cilët e akuzojnë për marrëdhënie të buta me presidentin rus Vladimir Putin, thonë se qasja e tij është dorëzim për Ukrainën dhe do të rrezikojë të gjithë Evropën.
Qasja e tij “Amerika e para” për t’i dhënë fund luftës shtrihet edhe në çështjen strategjike të së ardhmes së NATO-s, aleancës ushtarake transatlantike “të gjithë për një dhe një për të gjithë” e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht si mburojë kundër Bashkimin Sovjetik.
NATO tani ka 32 anëtarë dhe Trumpi ka qenë prej kohësh skeptik ndaj aleancës.
Nëse ai në të vërtetë do ta tërhiqte SHBA-në nga NATO, gjë që do ta sinjalizonte ndryshimin më të madh në marrëdhëniet e mbrojtjes transatlantike në gati një shekull, mbetet për t’u diskutuar.
Disa nga të afërmit e Trumpit kanë thënë se linja e ashpër e republikanit është taktikë negociuese për t'i bërë anëtarët të përmbushin udhëzimet e aleancës për shpenzimet e mbrojtjes (2 për qind e Bruto Produktit Vendor).
Por realiteti është se anëtarët e NATO-s janë seriozisht të shqetësuar me fitoren e Trumpit dhe çka do të thotë ajo për të ardhmen e aleancës.
Lindja e Mesme
Ashtu si me Ukrainën, Trumpi ka premtuar të sjellë “paqe” në Lindjen e Mesme - duke lënë të kuptohet se do t’i jepte fund luftës Izrael-Hamas në Gaza dhe luftës Izrael-Hezbollah në Liban - por nuk ka treguar se si.
Ai ka thënë vazhdimisht se, nëse do të kishte qenë në pushtet ai dhe jo Joe Biden, Hamasi nuk do të kishte sulmuar Izraelin për shkak të politikës së tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, i cili financon grupin.
Trumpi besohet se do ta vazhdojë politikën e ashpër ndaj Iranit. Në mandatin e parë, ai largoi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin, vendosi sanksione dhe vrau gjeneralin Qasem Soleimani – komandantin më të fuqishëm ushtarak iranian.
Sa ishte në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi miratoi politika të forta pro-izraelite, duke e emëruar Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe duke zhvendosur ambasadën e SHBA-së atje nga Tel Avivi.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti Trumpin “mikun më të mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.
Por kritikët argumentojnë se politika e tij kishte efekt destabilizues në rajon.
Palestinezët bojkotuan administratën Trump pas vendimit që Jerusalemi të ishte kryeqytet i Izraelit.
Ata u izoluan më tej kur Trumpi ndërmjetësoi të ashtuquajturën “Marrëveshje të Abrahamit”, e cila u cilësua si marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe dhe myslimane. Ata e bënë këtë pa pasur nevojë që Izraeli të pranonte shtet të pavarur palestinez - e ashtuquajtura zgjidhja me dy shtete. Më herët, vendet arabe e kishin kusht që Izraeli ta njihte Palestinën para se të nënshkruanin ndonjë marrëveshje rajonale.
Vendeve arabe që nënshkruan marrëveshjen me Izraelin iu dha qasje në armët e avancuara amerikane në këmbim të njohjes së Izraelit.
Trumpi bëri disa deklarata gjatë fushatës duke thënë se dëshiron që lufta në Gaza të përfundojë.
Ai ka pasur marrëdhënie komplekse, ndonjëherë jofunksionale me Netanyahun, por sigurisht që ka aftësinë për të ushtruar presion ndaj tij.
Ai gjithashtu ka histori të marrëdhënieve të forta me liderët në vendet kryesore arabe që kanë kontakte me Hamasin.
Është e paqartë se si Trumpi në njërën anë do të tregojë mbështetje për Izraelin, ndërkohë që do të përpiqet ta mbyllë luftën.
Aleatët e Trumpit shpesh e kanë portretizuar paparashikueshmërinë e tij si aset diplomatik, por në Lindjen e Mesme të paqëndrueshme, në mes të një krize tashmë me përmasa historike, nuk është e qartë se si do të ndodhte kjo.
Trump do të duhet të vendosë se si - ose nëse - do të çojë përpara procesin e ngecur diplomatik të nisur nga administrata Biden për armëpushim në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Kina dhe tregtia
Qasja e Amerikës ndaj Kinës është fusha më e rëndësishme strategjike e politikës së jashtme - dhe ajo që ka implikimet më të mëdha për sigurinë dhe tregtinë globale.
Kur ishte në detyrë, Trumpi e etiketoi Kinën “konkurrent strategjik” dhe vendosi tarifa për disa importe kineze në SHBA. Kjo shkaktoi kundërpërgjigje nga Pekini për importet amerikane.
Pati përpjekje për të shtensionuar mosmarrëveshjet tregtare, por pandemia COVID-19 e humbi këtë mundësi dhe marrëdhëniet u përkeqësuan pasi ish-presidenti e cilësoi Covidin “virus kinez”.
Ndërsa administrata Biden pretendoi të kishte qasje më të përgjegjshme ndaj politikës së Kinës - por mbajti shumë nga tarifat e kohës së Trumpit mbi importet.
Trumpi e ka lavdëruar presidentin kinez Xi Jinping si “të shkëlqyer” dhe “të rrezikshëm” dhe një udhëheqës shumë efektiv që kontrollon 1.4 miliardë njerëz me “grusht të hekurt” - pjesë e asaj që kundërshtarët e karakterizuan si admirim të Trumpit për “diktatorët”.
Ish-presidenti duket se do të largohet nga qasja e administratës Biden për ndërtimin e partneriteteve më të forta të sigurisë me vendet e tjera të rajonit në një përpjekje për të frenuar Kinën.
SHBA-ja ka vazhduar ndihmën ushtarake për Tajvanin e vetëqeverisur, të cilin Kina e sheh si provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e Pekinit.
Trumpi ka thënë në tetor se nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të duhej të përdorte forcën ushtarake për të parandaluar pushtimin e mundshëm të Tajvanit nga Kina. Ka paralajmëruar se do të vendoste tarifa paralizuese për importet kineze, nëse ndodh pushtimi i Tajvanit.
Reuters: Grenelli mund të kthehet në administratën Trump si këshilltar për sigurinë kombëtare
Richard Grenell mund të marrë pozitën e këshilltarit për sigurinë kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai është pretendenti kryesor nën administratën e Donald Trump, që të mërkurën u zgjodh president i SHBA-së me një diferencë të thellë votash ndaj kandidates së demokratëve, Kamala Harris.
Reuters ka raportuar se Grenell është ndër këshilltarët më të afërt të Trumpit për çështje të politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë katërvjeçar të Trumpit, 58-vjeçari ka shërbyer si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare dhe si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani.
Kur Trump ishte takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në shtator, Grenell i qëndronte afër. Ndër qëndrimet që Grenell e ka mbrojtur vazhdimisht ka qenë edhe krijimi i një zone autonome në Ukrainën lindore, për t’i dhënë fund luftës, ndonëse pozicionin e tij Kievi zyrtar e konsideron të papranueshëm.
Grenell ka qenë edhe i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Në maj të 2024-s, prestigjiozja amerikane “NewYork Times” shkruante se Grenelli i kishte propozuar Trumpit të vizitonte ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë.
Kur gjykata amerikane kishte hedhur poshtë çështjen e dokumenteve të klasifikuara ndaj Donald Trumpi, Grenell ishte shprehur se “tani është radha për rastin e Hashim Thaçit”.
Kremlini po pret “ta shohë” nëse fitorja e Trumpit do të ndihmojë në fundin e luftës në Ukrainë
Rusia ka reaguar pasi Donald Trump është zgjedhur president i ri i SHBA-së. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se SHBA-ja mbetet “një shtet armiqësor dhe vetëm koha do të tregojë nëse retorika e Trumpit për përfundimin e luftës në Ukrainë do të kthehet në realitet”, transmeton “Reuters”.
“Të mos harrojmë se po flasim për një vend jomik, i cili është përfshirë si direkt ashtu edhe indirekt në luftën kundër shtetit tonë (në Ukrainë)”, ka thënë Peskov për gazetarët.
Ai tha se nuk është në dijeni nëse presidenti rus Vladimir Putin ka plan ta urojë Trumpin për fitoren e tij dhe se marrëdhëniet me Washingtonit janë në nivelin më të ulët ndonjëherë.
“Ne kemi thënë vazhdimisht se SHBA-ja është në gjendje të kontribuojë në përfundimin e këtij konflikti. Kjo nuk mund të bëhet brenda natës, por...SHBA-ja është në gjendje të ndryshojë trajektoren e saj të politikës së jashtme. A do të ndodhë kjo dhe nëse po, si...do të shohim pas (inaugurimit të presidentit të SHBA-së në) janar”, tha Peskov.
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se Moska “nuk ka iluzione për Trumpin”, duke shtuar se ka një qëndrim dypartiak antirus në mesin e elitës qeverisëse të SHBA-së.
“Rusia do të punojë me administratën e re kur ajo ‘të zë vend’ në Shtëpinë e Bardhë, duke mbrojtur ashpër interesat kombëtare ruse dhe duke u fokusuar në arritjen e të gjitha objektivave të vendosura të operacionit special ushtarak (në Ukrainë)”, është thënë nga Ministria e jashtme e Rusisë.
E kreu i Fondit sovran rus, Kirill Dimitriev ka thënë se fitorja e Trumpit “hap mundësi të reja për rivendosjen e marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së”.
Çfarë ndodh me rastet penale dhe civile ndaj Trumpit pas rizgjedhjes president?
Donald Trump është rizgjedhur president i SHBA-së, si një i dënuar në pritje të dënimit për rastin e pagesave për heshtje në New York dhe ende punon për të shmangur ndjekjen penale në raste të tjera.
Është jashtëzakonisht një pozicion unik për të: Asnjëherë më parë një i pandehur nuk është zgjedhur në postin më të lartë të vendit, ashtu si një ish-president asnjëherë nuk është akuzuar deri vitin e kaluar, raportoi CNN.
Trumpi ka thënë disa herë se planifikon ta shkarkojë prokurorin e posaçëm, Jack Smith, dhe t’i japë fund çështjeve federale kundër tij për tentimin për përmbysjen e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 si dhe keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara.
Një gjykatës në New York do ta shpallë dënimin për ish-presidentin në fund të këtij muaji, pasi atë e shtyu për të shmangur çfarëdo lloj ndikimi në rezultatin e garës presidenciale. Megjithatë, avokatët e Trumpit pritet që t’i kërkojnë gjykatësit ta shtyjë sërish dënimin tani që ai është president i zgjedhur.
Trumpi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Është planifikuar që Trumpi të paraqitet në gjykatën në New York më 26 nëntor për të marrë dënimin për 34 akuzat për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila pati thënë se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
Nuk dihet deri tani nëse gjyqi për dënim do të mbahet.
Gjykatësi Juan Merchan i ka dhënë vetes afat deri më 12 nëntor që të vendosë nëse do ta fshijë dënimin për shkak të vendimit të Gjykatës Supreme që i jep presidentit imunitet. Nëse Merchan e bën këtë, akuzat do të hidheshin poshtë dhe Trumpi nuk do të dënohej.
Por, nëse gjykatësi vendos të shkojë tutje me dënimin, avokatët do të kërkojnë shtyrje të tij, në mënyrë që të mund të apelojnë. Nëse kjo nuk jepet, avokatët planifikojnë ta apelojnë vendimin e imunitetit në gjykatat shtetërore të apelit, potencialisht deri në Gjykatën Supreme të SHBA-së për të kërkuar shtyrjen e dënimit të Trumpit derisa të shteren të gjitha apelimet, gjë që mund të zgjasë me muaj.
Nëse ec përpara me dënimin, Trumpi mund të urdhërohet të kryejë deri në katër vjet burgim, por gjykatësit nuk i kërkohet të dënojë me burg presidentin e zgjedhur, kështu që mund t’i shqiptojë dënim më të vogël, si dënim me kusht, shërbim në komunitet apo gjobë.
Secili vendim do të ishte i komplikuar nga fakti se Trumpi do ta marrë detyrën më 20 janar. Avokatët e Trumpit ka gjasa të apelojnë vendimet e gjykatës në atë mënyrë sa rasti të mbetet nëpër gjykata me vjet.
Fitorja e Trumpit pritet të ketë ndikimin më të madh në dy çështjet penale federale të ngritura kundër tij nga Smithi në Washington dhe Florida. Pasi rastet u paraqitën më 2023, strategjia kryesore e avokatëve të Trumpit ka qenë të shtyhen gjyqet deri pas zgjedhjeve, ashtu që nëse zgjidhej ai do ta shkarkonte Smithin, që çon më pas në përfundimin edhe të dy çështjeve.
Shkarkimi i Smithit do t’i lejonte Departamentit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të lëvizin drejt hedhjet poshtë të akuzave ndaj tij dhe t’u japin fund rasteve gjyqësore.
Por, deri në ditën e inaugurimit Smith ka kohë të peshojë opsionet e tij mbi çështje që departamenti kurrë nuk i ka përballur.
Një vështirësi është nëse Departamenti i Drejtësisë e konsideron një president të zgjedhur të mbrohet nga e njëjta mbrojtje ligjore kundër ndjekjes penale njëjtë si një president në detyrë.
Në çështjen e ngrehur në Washington, Smithi ngriti akuzë ndaj Trumpit për përpjekjet e tij për përmbysjen e rezultateve zgjedhore të 2020-s. Ndërsa, akuzat e ngritura në Florida thonë se Trumpi ilegalisht mori dokumente të klasifikuara nga Shtëpia e Bardhë dhe u rezistoi përpjekjeve të qeverisë për të rimarrë ato dokumente.
E, fati i çështjes penale të Trumpit në Georgia varet nga fakti nëse prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, skualifikohet nga ndjekja penale për shkak të marrëdhënieve të saj romantike të mëparshme me një koleg prokuror.
Paditë civile
Presidenti i zgjedhur po ashtu po e mbron veten në një seri padish civile, duke përfshirë ato në lidhje me rolin e tij në sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol, dy padi për shpifje të E. Jean Carroll dhe një padi civile për mashtrim e ngritur nga prokurori i përgjithshëm i New Yorkut ku Trumpi u urdhërua të paguante gati 454 milionë dollarë dëmshpërblim.
Trumpi humbi në dy rastet për mashtrim ndaj Carrollit më 2023 dhe 2024 në gjykatën federale pasi një juri e gjeti përgjegjës për abuzim seksual të kolumnistes dhe shpifje ndaj saj. Carrollit iu dhanë 5 milionë dollarë dhe 83 milionë dollarë.
Trumpi e apeloi vendimin e parë për Carrollin, por gjykata e apelit ende nuk ka dhënë një vendim.
Trumpi po përballet edhe me paditë civile të ngritura nga ligjvënësit demokratë dhe të tjerë për rolin e tij në sulmin e 6 janarit në Capitol.
Është e mundur që të gjitha këto raste të vazhdojnë të zhvillohen edhe ndërsa Trumpi fillon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. Në një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1997 që rrodhi nga një padi civile ku i përfshirë ishte presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, gjyqtarët vendosën njëzëri që presidentët në detyrë nuk mund të thirreshin në imunitet presidencial për të shmangur proceset gjyqësore civile gjatë kohës sa janë në detyrë.
Scholzi uron Trumpin, thotë se shumë gjëra do të ndryshojnë nën administratën e tij
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka uruar kandidatin republikan për president, Donald Trump për fitoren e tij të mërkurën teksa theksoi se vendi i tij "do të mbetet një partner i besueshëm transatlantik".
"Presidenti Trump do të marrë detyrën në një kohë sfidash dhe krizash të mëdha. Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti kanë një rol qendror për të luajtur në tejkalimin e tyre”, ka thënë Scholz teksa ka folur për gazetarët në Kancelarinë në Berlin, raporton AP.
"Sigurisht që shumë gjëra do të jenë të ndryshme nën një administratë të udhëhequr nga Donald Trumpi. Donald Trump e ka bërë gjithmonë të qartë këtë publikisht”, ka shtuar ai.
Trumpi është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të mërkurën, një rikthim i jashtëzakonshëm për një ish-president që refuzoi të pranonte humbjen katër vjet më parë, shkaktoi një kryengritje të dhunshme në Kapitolin e SHBA-së, u dënua për akuza penale dhe u mbijetoi dy tentativave për vrasje.
Me një fitore në Wisconsin, Trumpi arriti 270 votat elektorale të nevojshme për të siguruar presidencën.
Taksat, imigracioni dhe aborti – çfarë politikash ka ofruar Trumpi?
Kandidati republikan, Donald Trump ka fituar 277 nga 270 votat e nevojshme elektorale për t’u zgjedhur president i ardhshëm i SHBA-së.
Gjatë fushatës së tij, ai ka folur për politikat e tij në një sërë çështjes.
Ekonomia: Trump ka premtuar "t'i japë fund inflacionit dhe ta bëjë Amerikën përsëri të përballueshme". Ai thotë se do ta bëjë këtë duke zgjeruar prodhimin e energjisë në SHBA dhe duke hapur zona të tilla si shkretëtira e Arktikut për shpimet e naftës për të ulur kostot e energjisë.
Taksat: Ai ka propozuar një numër shkurtimesh taksash me vlerë triliona dollarë, duke përfshirë një zgjatje të atyre që ai miratoi në vitin 2017, të cilat më së shumti ndihmuan të pasurit. Trumpi thotë se do të paguajë shkurtimet përmes tarifave për importet.
Emigracioni: Trumpi bëri një fushatë të madhe për këtë çështje, duke premtuar se do të mbyllte kufirin e SHBA-së duke përfunduar ndërtimin e murit që ai premtoi të ndërtonte midis SHBA-së dhe Meksikës gjatë presidencës së tij të fundit. Ai ka thënë gjithashtu se do të zbatojë deportimin më të madh masiv të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së.
Klima: Më parë ai ka hequr qindra mbrojtje mjedisore, duke përfshirë kufizimet në emetimet e dioksidit të karbonit nga termocentralet dhe automjetet, dhe mbrojtjen për rrugët ujore federale. Ai përsëri po zotohet të shkurtojë rregulloret dhe ka sulmuar automjetet elektrike, duke premtuar se do të përmbysë qëllimin e administratës Biden për të kaluar në vetura më të pastra.
Aborti: Trumpi ka thënë gjatë fushatës së tij që shtetet individuale të SHBA duhet të vendosin lidhur me ligjshmërinë e tij. Tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që ai caktoi ndërsa ishte president, ishin vendimtarë në përmbysjen e Roe v Wade - një vendim që u kishte garantuar grave, në mbarë vendin, të drejtën për abort.
Kur pritet ta marrë detyrën Trumpi si president?
Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kandidati republikan, si dhe ish-president, ka garuar kundër demokrates Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit.
Trumpi ka fituar në shumicën e atyre që njihen si shtete të papërcaktuara, duke siguruar 277 vota të Kolegjit Elektoral.
Një kandidat duhet të fitojë të paktën 270 vota për t’u shpallur fitues. Fitorja e tij është konfirmuar pasi ka triumfuar në katër shtete të papërcaktuara: Pensilvani, Ëiskonsin, Karolinë e Veriut dhe Georgia.
Pasi ka marrë votat e nevojshme elektorale, pritet që të votohet në Kolegj Zgjedhor e të certifikohet në Dhomën e Përfaqësuesve më 6 janar 2025.
Presidenti i ri merr detyrën më 20 janar 2025.
Rreth 150 milionë amerikanë kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, në ose para ditës së zgjedhjeve.
Si u rikthye Donald Trumpi nga humnera politike?
Kur Donald Trumpi humbi ndaj Joe Bidenit më 2020, dukej sikur karriera e tij politike u shkatërrua.
Mandati i tij i parë në detyrë përfundoi në kaos dhe kritika – madje edhe nga anëtarët e partisë së tij. Nëse ai fiton zgjedhjet të martën, 5 nëntor, do të jetë hera e dytë që dikush kthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi ka humbur paraprakisht më herët rizgjedhjet presidenciale.
“Ai rrëzohet dhe ngrihet dy herë më i përqendruar”, ka thënë Bryan Lanza, i cili ka qenë këshilltar politik i ish-presidentit që kur Trumpi nisi fushatën e tij në vitin 2016. “Unë nuk mendoj se dikush duhet të jetë i befasuar për këtë rikthim”.
Një ndryshim i tillë i jashtëzakonshëm i fatit për ish-presidentin gjithashtu do ta kthente atë në Shtëpinë e Bardhë si një njeri që politikisht duket i pandikueshëm, me një plan të detajuar të veprimit dhe një radhë besnikësh prapa tij.
Ekzili jetëshkurtër
Katër vjet më parë, Trumpi doli i mposhtur. Kundërshtari i tij demokrat, Biden, e kishte mundur në garën presidenciale të vitit 2020.
Gjykatat i kishin hedhur poshtë përpjekjet e tij për t’i kundërshtuar rezultatet e atëhershme. Tubimi i tij i fundit, në të cilin ai u kërkoi mbështetësve të tij të marshonin drejt Capitolit të SHBA-së ndërsa ligjvënësit po certifikonin rezultatet, kulmoi me turmën që nisi një sulm të dhunshëm duke bërë që ata që ishin brenda të kërkonin siguri. Qindra zyrtarë u lënduan.
Sekretarja e Arsimit, Betsy DeVos, dhe ajo e Transportit, Elaine Chao, ishin në mesin e një numri zyrtarësh të administratës Trump që dhanë dorëheqje në shenjë proteste. Madje edhe senatori republikan i Karolinës së Jugut, Lindsey Graham, një nga aleatët më të ngushë të Trumpit, u nda me presidentin.
“Krejt çka mund të them, është të mos më llogarisni”, pati thënë ai në Senat. “Mjaft është mjaft”.
Largimi nga Trumpi u shtri në botën e korporatave, pasi dhjetëra kompani të mëdha – duke përfshirë “American Express”, “Nike” dhe “Walgreens” – njoftuan ndaljen e mbështetjes për republikanët të cilët kishin kundërshtuar rezultatet e zgjedhjeve të 2020-s.
Në ditën e inaugurimit të Bidenit, Trumpi theu traditën 152-vjeçare duke refuzuar të merrte pjesë në ceremoni, e në vend të kësaj u kthye në rezidencën e tij private në Mar-a-Lago herët atë mëngjes, i shoqëruar nga një pjesë e vogël e ndihmësve të tij më të afërt dhe familjes.
Ai ishte i ngrysur, sipas Meridith McGraw, autore e librit “Trumpi në Ekzil”, një rrëfim i kohës së ish-presidentit pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
“Ai ishte i zemëruar, i frustruar, i pasigurt se si t’i kalonte ditët dhe pa një plan për të ardhmen e tij politike”, ka thënë ajo.
Mbulimi mediatik dhe diskutimet politike atë muaj, reflektuan pasigurinë për të ardhmen e tij. Pas një humbjeje të qartë elektorale ndjekur nga skenat kaotike në Capitol, disa ishin edhe më të sigurt se nuk kishte rrugë kthimi për Trumpin.
“Dhe kështu, karriera e guximshme, e zjarrtë dhe ndonjëherë brilante e Donald J. Trumpit merr fund”, thuhej në një artikull në “The Hill”.
Nëntitulli i një opinioni të janarit 2021 në “The New York Times” ishte: “Eksperimenti i tmerrshëm ka përfunduar”. Titulli ishte edhe më direkt: “Presidenti Donald J. Trump: Fund”.
Por, para se Trumpi të nisej për në Florida në ditën e inaugurimit, ai la të nënkuptohej se çfarë do të vinte më pas.
“Ju duam”, pati thënë ai për mbështetësit e tij në një pistë të bazës së Forcave Ajrore të Marylandit. “Ne do të rikthehemi në një formë”.
Një javë më vonë, u bë e qartë se Trumpi nuk do të duhej të priste gjatë për të shfaqur ndikimin e tij të vazhdueshëm politik. Partia iu kthye atij.
Kongresisti i Kalifornisë, Kevin McCarthy, lideri republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, e vizitoi ish-presidentin në Mar-a-Lago, duke shkrepur një foto pranë një Trumpi që po “rrezatonte”.
Menjëherë pas sulmit të 6 janarit, McCarthy pati thënë se Trumpi “bart përgjegjësi” për dhunën e turmës dhe rekomandoi që Kongresi ta ndëshkonte zyrtarisht për sjelljen e tij. Tani, ai po shprehte gatishmërinë që të punonte me ish-presidentin për të fituar një shumicë në Kongres në zgjedhjet e një viti më pas.
Edhe kur Senati i SHBA-së i kontrolluar nga demokratët po përgatitej të zhvillonte gjykimin ndaj Trumpit, vizita e McCarthyt tregonte se një nga republikanët më të fuqishëm në Kongres ende e shihte ish-presidentin si një person me ndikim.
“Vizita e McCarthyt vërtetë e hapi derën për Trumpin”, ka thënë McGraw. “Ishte një leje për republikanët të cilët e kishin kritikuar Trumpin që ta falnin dhe të ecnin përpara”.
Gjyqi i Senatit ndaj Trumpit do të përfundonte me pafajësi, pasi shumica e republikanëve – përfshirë disa kritikë të hapur, si lideri i pakicës Mitch McConnell – votuan kundër një dënimi që mund të kishte çuar në ndalimin e ish-presidentit nga gara për post presidencial.
McConnell pati thënë se sjellja e Trumpit më 6 janar ishte “një shpërfillje e turpshme e detyrës”, megjithatë ai zgjodhi që të mos e bënte hapin që mund t’i kishte dhënë fund përfundimisht karrierës politike të ish-presidentit – ndoshta nga frika se do t’i jepte fund edhe karrierës së vet.
Republikanët u shqetësuan po ashtu se ish-presidenti mund të krijonte një parti të tretë që do ta largonte mbështetjen nga republikanët.
“Qartazi është në dorën e republikanëve nëse kjo është diçka që bëhet më serioze”, pati thënë Jason Miller, këshilltar i komunikimit i Trumpit për kohë të gjatë, për “Fox News”.
Ish-presidenti kaloi një muaj kryesisht brenda Mar-a-Lagos, duke dalë vetëm për ndonjë raund golfi ose darkë private.
Në fund të shkurtit, teksa zhurma rreth 6 janarit u zbeh, ai ishte gati ta mbante eventin e tij të parë publik.
Në Konferencën e Veprimit Politik Konservator – konferenca zakonisht mbahet afër Washingtonit, por ajo u zhvendos në Orlando, Florida, për shkak të kufizimeve për COVID – Trumpi tregoi se ai ende komandonte besnikërinë e bazës republikane.
“Qëndroj sot para jush për të deklaruar se udhëtimi i mrekullueshëm që e kemi nisur bashkë është larg përfundimit”, pati thënë ai.
Ai la të nënkuptohej se mund t’i mundte demokratët “për herë të tretë” më 2024.
Një sondazh i pjesëmarrësve të konferencës vetëm sa përshfaqi atë që deri atëherë ishte e qartë. 68 për qind e të anketuarve thanë se Trumpi duhet të kandidojë përsëri.
“Trumpi dhe ekipi i tij ishin mjaft nervozë për atë fjalim”, ka thënë McGraw. “Psikologjikisht ishte një moment shumë i rëndësishëm për Trumpin dhe aleatët e tij kur ai pati një pritje aq pozitive”.
Pas një pauze të shkurtër, Trumpi riaktivizoi mbledhjen e fondeve te mbështetësit e tij dhe rifilloi mbajtjen e mitingjeve.
“A ju mungoj?” pyeti Trumpi në një tubim në Ohio. Turma u përgjigj me brohoritje.
“Atyre ju mungoj”, dha konkluzionin ai.
Uljet dhe ngritjet
Nëse viti 2021 la të kuptohej për ndikimin e vazhdueshëm të Trumpit brenda Partisë Republikane, zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të vitit 2022 e konfirmuan.
Deri atëherë, forcat ushtarake amerikane ishin tërhequr nga Afganistani, duke çuar në rënien e qeverisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja. Çmimet e gazit dhe inflacioni po u afroheshin niveleve më të larta që nuk ishin parë në dekada. Rritja ekonomike e SHBA-së, e cila ishte rikthyer nga pandemia, shkoi në rënie.
Vlerësimet për Bidenin pësuan rënie të dukshme. Mjedisi politik që ishte dukur aq armiqësor ndaj Trumpit në fillim të vitit 2021, kishte filluar të ndryshonte.
“Joe Bideni dështoi të adresonte shqetësimet fillestare të votuesve”, ka thënë Lanza. “Kjo ia hapi Donald Trumpit një dritare”.
Mar-a-Lago u bë pikë ndalimi e detyrueshme për çdo kandidat konservator që kërkonte të bëhej i nominuar partisë së tyre. Miratimi nga ish-presidenti ishte çmimi më i lakmueshëm – një çelës për të zhbllokuar mbledhjen e fondeve dhe mbështetjen konservatore në themel.
Katër nga gjashtë anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan për gjykimin e Trumpit dhe po konkurronin për rizgjedhje, u mundën nga kandidatët e mbështetur nga Trumpi në zgjedhjet partiake. Ndërkohë, kandidatët për Senat si JD Vance në Ohio dhe Herschel Walker në Georgia dolën përpara me ndihmën e mbështetjes së Trumpit.
“Mbështetja e tij ju garanton vetëm një fitore fillestare”, pati thënë Brian Seitchik, i cili punoi si drejtor në Arizona për ekipin e fushatës së Trumpit më 2016.
Nga katër kandidatët për Senat të aprovuar nga Trumpi, vetëm një, Vance, mundi kundërshtarin e tij demokrat. Ndërsa republikanët rimorën ngushtë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, duke e ngritur Kevin McCarthyn në kryetar, partia rezultoi keq dhe demokratët e mbajtën kontrollin e Senatit.
Në Florida, guvernatori Ron DeSantis pati një fitore beafuese të rizgjedhjes, duke nxitur spekulime se ai mund të jetë kryesuesi për nominimin presidencial të republikanëve më 2024.
Vetëm disa javë pas zgjedhjeve të mesmandatit, kur ekspertët ende po pyesnin nëse momenti politik i ish-presidentit kishte kaluar, Trumpi nisi fushatën e tij presidenciale të 2024-tës.
Rruga drejt nominimit
Nisja e fushatës presidenciale ishte e çuditshme. Pak javë pas dështimit në zgjedhjet e mesmandatit, ish-presidenti u bë kryelajm. Njerëzit po pyesnin nëse ka humbur instinktet politike.
Njoftimi zyrtar e bëri fushatën fillimisht të papërshtatshme për realitetin aktual politik.
Në fillim të fushatës u pa duke ngrënë me Nick Fuentesin, nacionalist i njohur dhe duke postuar në rrjete sociale se Kushtetuta e SHBA-së duhet të marrë fund, e që t’i lejohet riemërimi si president.
“Ai ka njoftuar se do të garojë për president, por a jemi të sigurt se do t’ia dalë?” kishte deklaruar atë kohë McGraw që vinte në pikëpyetje disiplinën e Trumpit.
Prapa skenës, Trumpi po niste operimet. Përvoja e tij ia dha shtytjen e parë në Florida duke marrë nën shoqëri Chris LaCivitan dhe Susie Wilesin, dy emra të panjohur fillimisht, por me përvojë të theksuar.
Përderisa DeSantis ishte në shkëlqim, Trumpi ia arriti që ta eliminonte.
Në këtë kohë nisën edhe hetimet ndaj Trumpit, duke nisur nga hulumtimet e FBI-së për dokumente të ndjeshme kombëtare në Mar-a-Lago në gusht të 2022-s dhe kulmimit me seri akuzash më 2023. Pas kësaj, rreziku që ish-presidenti të shihej prapa grilave, tejkaloi nominimin.
Për shumë në mesin e Republikanëve, me këtë gjithçka mori fund, por jo edhe te disa votues konservatorë që në disa shtete veçse nisën t’i japin gazit për t’u mbledhur rreth liderit të partisë.
Në një sondazh të Republikanëve në Iowa në qershor të 2023-s, një javë pasi Departamenti i Drejtësisë e paditi Trumpin nën dyshimin për keqpërdorim të dokumenteve të ndjeshme kombëtare, u pa se Trumpi ishte në ngritje.
Sipas Lanzas, akuzat krijuan ndarje brenda partisë.
Deri në vjeshtën e 2023-s, Trumpi veçse mori epërsi masive në shumicën e sondazheve paraprake republikane – diferencë që më pas nuk e lëshoi kurrë. Ai shmangte debatet dhe u fokusua në fitimin e mbështetjes kryesisht në fushat ekonomike.
Pavarësisht se grumbulloi 200 milionë dollarë në fonde fushate, DeSantis u tërhoq nga në janar të 2024-s. Trumpi më pas e mposhti lehtësisht ish-guvernatoren e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, dhe gara tashmë konsiderohej e mbyllur.
Për zgjedhjet e treta rresht, ai ishte i nominuari.
Gjykimet dhe triumfet
Drama gjyqësore e ish-presidentit mund të ketë qenë ndihmë për përfitimet e tij politike, por erdhi edhe me rrezikun e madh. Në maj të 2024-s, një juri në Manhattan e dënoi Trumpi për 34 akuza që lidheshin me pagesa për yllin e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Çdo dënim, megjithatë, dukej se pasohej me fitore të madhe. Më pas aktakuzave u vendos që Trumpit të mos i pengohet rruga e garimit për president.
Ai tashmë ishte duke u përgatitur për garën e madhe – me Joe Bidenin. Në debatin e fundqershorit, Trumpi përfitoi më së shumti duke lënë prapa presidentin konfuz.
Vlerësimi për Trumpin po rritej në vazhdimësi. E pas atentatit ndaj tij në Pensilvani në maj të korrikut, Trumpi u prit si hero në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee.
“Ajo që pamë në Konventë ishte se sa e unifikuar ishte Partia Republikane, për herë të parë pas një kohe të gjatë”, ka thënë McGraw. “Ata ndiheshin tepër të sigurt”.
Shefi i Teslas, Elon Musk – njeriu më i pasur në botë – publikisht doli në përkrahje të Trumpit dhe nisi financimin e organizimeve masive në shtetet e papërcaktuara.
Në atë moment dukej sikur kthimi i Trumpit nga trazirat e 6 janarit 2021 – u përmbush. Nga fitoret ndaj DeSantisit dhe rivalët tjerë të brendshëm, Trumpi u kthye në goditje të fuqishme edhe për Bidenin dhe Demokratët.
Tre ditë pasi Trumpi mori nominimin zyrtar të Partisë Republikane, Bideni braktisi garën dhe i ofroi përkrahje zëvendëspresidentes Kamala Harris.
Për pak javë, Harrisi konsolidoi mbështetjen e partisë së saj, ktheu entuziazmin dhe madje doli përpara në disa sondazhe.
Përpjekjet e Trumpit për rikëndellje nuk patën sukses as në debatin të cilin e humbi përballë Harrisit në shtator.
“Trumpi me të vërtetë nuk u testua deri kur Harrisi u fut në garë”, ka thënë Seitchik. “Gjithçka deri në atë pikë dukej pothuajse parasezon i zgjatur i fushatës”.
Tani sezoni është në fund dhe kampioni ende në dyshim.
Gara konsiderohet aq e ngushtë sa që “foto-finishi” do të duhet për të parë kush del në krye.
Trumpi 78-vjeçar nuk ka pranuar të thotë se ka humbur më 2020. Ka shtuar retorikën e ashpër dhe ka mbajtur tubime të stërzgjatura për të goditur përpjekjet që t’i mvishet “plakja” siç ai ia atribuonte Bidenit sa ai ishte në garë.
Trump ishte në qendër të vëmendjes për 9 vjet në politikë dhe për më shumë se katër dekada në biznes. Duket i palodhur.
Premtimet e tij për imigrantët, dëbimi masiv i personave pa dokumente dhe vendosja e tarifave ndaj produkteve të jashtme, Trumpi paraqet riorientim themelor të Partisë Republikane, sipas Seitchikut.
Irani reagon pas fitores së Trumpit
Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve në SHBA nuk do të ndikojnë shumë në Iran, ndërsa kursi i këmbimit të rialit kundrejt dollarit amerikan arriti një rekord të ulët të mërkurën.
“Zgjedhja e presidentit të SHBA-së nuk ka të bëjë asgjë specifike me ne. Politikat kryesore të Amerikës dhe Republikës Islamike janë fikse dhe nuk do të ndryshojnë shumë”, ka thënë Mohajerani, raporton AP.
Donald Trumpi ka arritur 277 nga 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar Shtëpinë e Bardhë.
Ai njihet për qëndrimin e tij të ashpër kundër Iranit, ndër të tjera. Në vitin 2018 ai tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e Iranit, duke rivendosur sanksionet gjymtuese ndaj Iranit.
Kurti uron Trumpin: Mezi po pres të punojmë së bashku për përparim dhe paqe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për zgjedhjen si president i SHBA-së.
Trumpi po projektohet si fitues i zgjedhjeve në SHBA.
“Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleat kyç, mike dhe partner e Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Trump zgjidhet president i SHBA-së
Donald Trump është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka raportuar AP. Ai ka tejkaluar shifrën e 270 votave elektorale, duke shënuar rikthim të jashtëzakonshëm në politikë.
Me një diferencë të madhe të votave e ka lënë prapa kandidaten e demokratëve, Kamala Harris.
Ai fitoi edhe në shtetin e Wisconsinit.
Trump do të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së.
Ursula Von der Leyen uron Trumpin
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka përgëzuar kandidatin republikan, Donald Trump, i cili të mërkurën ka shpallur fitoren në zgjedhjet në SHBA.
Von der Leyen ka shkruar në X se BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë se thjesht aleatë.
“Ne jemi të lidhur nga një partneritet i vërtetë mes njerëzve tanë, duke bashkuar 800 milionë qytetarë. Pra, le të punojmë së bashku për një agjendë të fortë transatlantike që vazhdon të ofrojë për ta”, ka shkruar von der Leyen.
Liderët botërorë urojnë Trumpin
Liderët botërorë kanë nisur ta urojnë Donald Trumpin për fitoren e zgjedhjeve presidenciale edhe pse zyrtarisht ende nuk është shpallur një fitues.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka qenë ndër të parët. Ai e ka quajtur atë “rikthimin më të madh në histori”.
“Rikthimi yt historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një ripërkushtim të fuqishëm për aleancën mes Izraelit dhe Amerikës”, ka shkruar ai në X.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po ashtu ka reaguar.
“Urime president Donald Trump. Të gatshëm të punojmë bashkë ashtu si kemi bërë për katër vjet”, ka shkruar ai.
E kryeministri britanik, Keir Starmer, po ashtu e ka quajtur fitore historike.
“Si aleatët më të afërt, qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes”, ka thënë Starmer ndër tjerash.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është “fitore mbresëlënëse” e Trumpit. Ai ka thënë se vlerëson “angazhimin e Trumpit për qasjen ndaj paqes”.
“Unë shpresoj se do ta vëmë në veprim së bashku. Ne presim një epokë të SHBA-së së fuqishme nën udhëheqjen vendimtare të presidentit Trump”.
Opozita uron Trumpin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ai ka shkruar të mërkurën në Facebook se rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Lidhjen me SHBA-në, Abdixhiku e cilësoi të bekuar dhe të pazëvendësueshme.
“Populli i Kosovës ka qenë gjithmonë i bekuar me lidhjen sa të veçantë aq dhe të pazëvendësueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës - aleatin tonë strategjik të së shkuarës e të së ardhmes! Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, uroj Presidentin e 47-të të SHBA-ve, Donald J. Trump për fitoren presidenciale në zgjedhjet amerikane! Rikthimi i Kosovës në agjendën e Ëashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-të ecja e Kosovës si shtet i ri e në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!”, ka shkruar deputeti opozitar i LDK-së.
Ndërsa, urime i ka dërguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai tha se lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së shkon përtej politikës.
“Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkon gjithmonë përtej politikës. Roli i SHBA-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, shtetformimit dhe shtetndërtimit është dëshmi e një raporti të ndërtuar mbi vlera, besim dhe respekt të veçantë. Ndërsa Kosova vazhdon përpjekjet që të ndërtojë një të ardhme më të mirë, ne ritheksojmë përkushtimin e plotë për forcimin e aleancës sonë më të rëndësishme, duke rifuqizuar raportet Kosovë - SHBA, përmes mundësive të reja për bashkëpunim, zhvillim, paqe e stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Shef i NATO-s e uron Trumpin: Lidershipi i tij do të jetë vendimtar për ta mbajtur aleancën të fortë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka uruar Donald Trumpin për zgjedhjen si president i SHBA-së. Trump është duke kryesuar dukshëm në garën për president të SHBA-së, ndërsa sipas projeksioneve po i duhen vetëm edhe tri vota elektorale për t’u shpallur president.
Vetë Trump e ka shpallur fitoren.
“Dua të uroj Donald Trimpin për zgjedhjen e tij si president i SHBA-së. Lidershipi i tij sërish do të jetë kyç për ta mbajtur Aleancën të fortë. Mezi po pres të punojë sërish me të për ta vancuar paqen nëpërmjet fuqizimit të NATO-s”, ka shkruar Rutte në platformën “X”.
I just congratulated @realDonaldTrump on his election as President of the United States. His leadership will again be key to keeping our Alliance strong. I look forward to working with him again to advance peace through strength through #NATO.
Rama uron Trumpin: Fitore e jashtëzakonshme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se mezi pret të punojë me të, derisa u shpreh se ishte nder të punonte krah presidentit të 46-të, Joe Biden.
Fitoren e Trumpit, Rama e quajti të jashtëzakonshme.
Trumpin e ka uruar edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Ai ka shkruar në rrjetin social X se Shqipëria e vlerëson miqësinë dhe partneritetin strategjik. Begaj u shpreh se mezi pret të forcojë bashkëpunimin me Trumpin.
Grenell: Amerika dhe bota kanë shpëtuar
Ish-i i dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se me fitoren e Donald Trumpit Amerika dhe bota ka shpëtuar.
Ai ka shkruar në X të mërkurën se është me këtë fitore paqja do të vijë së shpejti. Amerika dhe bota ka shpëtuar.
“Ne e kemi mposhtur zgjimin e majtë. Paqja do të vijë së shpejti”, ka shkruar Grenell.
Ish-zyrtari amerikan është tallur me kandidaten e demokratëve, Kamala Harris, duke u shprehur se mosfitorja e saj minon demokracinë.
Osmani uron Trumpin: Mezi pres të punoj me administratën e re
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Ajo ka shkruar të mërkurën se SHBA-ja mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës.
“Mezi pres të punoj me administratën e re për t'i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë”, ka deklaruar Osmani në rrjetin social X.
Trump e shpalli fitoren pasi po prin bindshëm në zgjedhje.
Vuçiqi e Orbani e urojnë Trumpin për “fitoren e madhe”
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban, e kanë uruar Donald Trumpin për fitore të zgjedhjeve në SHBA, pavarësisht se ende nuk është shpallur zyrtarisht një fitues.
“Urime Donald Trump për fitoren. Bashkë, ne përballemi me sfida serioze. Serbia është e përkushtuar të punojë me SHBA-në për stabilitet, rritje dhe paqe”, ka shkruar Vuçiq në platformën X.
E, Orban e ka quajtur “rikthimin më të madh në historinë politike të SHBA-së”.
“Rikthimi më i madh në historinë politike të SHBA-së! Urime për presidentin Donald Trump për fitoren e tij të madhe. Një fitore shumë e nevojshme për botën”, ka shkruar ai.
Trumpi thotë se do t'i ndalojë luftërat në botë
Kandidati republikan për president i SHBA-së, Donald Trump, ka folur para mbështetësve të tij në Palm Beach, Florida, derisa atij i duhen edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president.
Ai ka dalë para turmës bashkë me stafin dhe kandidatin republikan për zëvendëspresident.
Ai e ka përshkruar si “fitore politike” dhe ka falënderuar mbështetësit që e kanë zgjedhur si presidentin e 47.
“Ne do ta ndihmojmë vendin tonë të shërohet. Do të luftoj për familjen tuaja, për të ardhmen, çdo ditë do luftoj me çdo frymë timen”, ka thënë ai, duke shtuar se partia e tij ka bërë historinë.
Trump ka thënë më tej se kjo do të jetë “epoka e artë” për Amerikën.
“Kjo është një fitore madhështore për amerikanët, që do të na lejojë ta bëjmë Amerikën madhështore sërish”, ka theksuar ai.
Trumpi ka deklaruar se ai do t’i “ndalojë luftërat”.
“Nuk kemi pasur luftëra, për katër vjet nuk kemi pasur luftëra. Përveç se mposhtëm ISIS-in. Ata thanë se ‘ai do ta nisë një luftë’. Nuk do ta nisë një luftë. Unë do t’i ndaloj luftërat”, ka deklaruar ai.
Trumpit i duhen edhe tri vota elektorale për t’u zgjedhur president
Donald Trumpit i duhen edhe tri vota elektorale për t'u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka raportuar AP-ja.
Aktualisht ai i ka 267 vota, pasi së fundmi u raportua se ka fituar në shtetin e Pensilvanisë.
Në anën tjetër, kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, i ka 214 vota elektorale.
Sipas rezultateve të deritashme, Trumpi i ka rreth 5 milionë vota më shumë se Harris.
Trumpi fiton Pensilvaninë
Projeksionet e CNN-it e nxjerrin Donald Trumpin fitues edhe në shtetin e Pensilvanisë.
Ky shtet konsiderohet thelbësor në këtë proces zgjedhor, për shkak të garës presidenciale mes Trumpit dhe Kamala Harrisit.
Ndërsa, CNN tha se Trumpi ka fituar një votë elektorale në Nebraska, e një Harrisi.
Republikanët marrin kontrollin mbi Senatin
Një projeksion i CNN thotë se partia republikane do të marrë kontrollin edhe të Senatit amerikan. Ende po numërohen votat, por duket se demokratët kanë humbur shumicën efektive.
Ata shpresonin të merrnin një vend republikan për të kufizuar avancimin e partisë së Donald Trumpit, por sipas parashikimit, këtë s'kanë arritur ta bëjnë në Ted Cruz Teksas.
Harris fiton në New Hampshire
Kandidatja e demokratëve, Kamala Harris ka fituar shtetin e New Hampshire.
Ky shtet ka mbështetur demokratët në shtatë nga tetë zgjedhjet e fundit presidenciale, ka raportuar AP-ja.
New Hampshire historikisht ka qenë i pozicionuar kah demokratët.
Trumpi prin, pritet të flasë para mbështetësve
Kandidati i republikanëve për president, Donald Trump, pritet t'iu drejtohet votuesve në qytetin Palm Beach në Florida, ka raportuar AP-ja.
Shumë përkrahës të tij janë grumbulluar duke festuar, derisa kandidatja e demokratëve, Kamala Harris, nuk ka planifikuar të flasë.
Trumpi fiton në Karolinë të Veriut dhe në Georgia
Projeksionet e fundit të mediave ndërkombëtare bëjnë të ditur se kandidati i republikanëve, Donald Trump, ka fituar edhe në shtetin e Karolinës së Veriut, ndërsa Kamala Harris prin në Virginia.
Donald Trump ka fituar edhe në shtetin e Georgia, duke i kthyer 16 vota elektorale kah republikanët.
Numërimi i votave është duke vazhduar në shtetet kryesore, derisa në përditësimin e fundit Trump i ka fituar 230 vota elektorale. Harris i ka 210.
Në shtetet e tjera si Pensilvania, Wisconsin, Nevada, Michigan dhe Arizona, rezultatet s'janë shpallur ende, por në shumicën prej tyre prin Trumpi.