Kremlini të hënën ka deklaruar se qëndrimi i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për përjashtimin e mundësisë së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, është i kënaqshëm për Moskën. Por, nuk komentoi mbi shpresat e Trumpit për një marrëveshje paqeje këtë javë, ka njoftuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Emisari i SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, gjenerali Keith Kellogg të dielën ka thënë se anëtarësimi në aleancën në NATO ishte “jashtë tavolinës” për Ukrainën. Trumpi ka thënë se mbështetja e mëparshme e SHBA-së për këtë ishte shkaku i luftës.
“Ne kemi dëgjuar nga Washingtoni në nivele të ndryshme se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i përjashtuar”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Sigurisht, kjo është diçka e kënaqshme dhe përkon me pozicionin tonë”.
Anëtarësimi ukrainas në aleancën e udhëhequr nga SHBA-ja do të kërcënonte interesat ruse, shtoi Peskov.
“Dhe, në fakt, ky është një nga shkaqet kryesore të këtij konflikti”.
Edhe
Kremlini mbështet Trumpin pas deklaratës së tij për Zelenskyn
Presidenti rus Vladimir Putin e konsideron luftën si një moment vendimtar në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin, për të cilin ai thotë se e poshtëroi Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, duke zgjeruar NATO-n dhe duke shkelur atë që ai e konsideron sferën e ndikimit të Moskës.
Në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord që Ukraina dhe Gjeorgjia një ditë do të bëheshin anëtarë. Ukraina në vitin 2019 ndryshoi Kushtetutën e saj duke u angazhuar në rrugën e anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.