Një plan i fshehtë sabotimi në Evropë u zbulua pasi disa pako të dërguara nga Lituania morën flakë gjatë transportit drejt vendeve të ndryshme. Hetimet tregojnë se brenda tyre ishin fshehur pajisje ndezëse dhe eksplozivë, ndërsa autoritetet dyshojnë se operacioni ishte organizuar nga inteligjenca ushtarake ruse për të frikësuar vendet që mbështesin Ukrainën. Një nga personat e përfshirë, Aleksandr Suranovas, pretendon se u përdor pa e ditur për këtë komplot.
Lodrat seksuale, locionet për trup dhe jastëkët për masazh nuk ishin lloji i dërgesave që Aleksandr Suranovas zakonisht dërgonte me postë.
“Çfarë?” shkroi ai në mesazh, kur iu dërgua një fotografi e sendeve që duhej t’i paketonte në katër pako dhe t’i dërgonte nga Lituania drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këto u duhen atyre dhe po ofrojnë punë të rregullt”, erdhi përgjigjja në aplikacionin e mesazheve Telegram. Pagesa ishte e mirë: 150 euro për vetëm disa orë punë. Kështu që Suranovas pranoi. “Nëse këto duhen, atëherë në rregull për mua,” shkroi ai.
Por çdo pako përmbante në të vërtetë një pajisje të sofistikuar ndezëse. Tubat e locioneve ishin mbushur me një lëndë shpërthyese të lëngshme të quajtur nitrometan, ndërsa mekanizmat e ndezjes ishin fshehur aq mirë brenda jastëkëve të masazhit saqë as skanerët e aeroportit nuk i zbuluan. Suranovas këmbëngul se ai nuk kishte asnjë ide për këtë.
Kur iu dorëzuan sendet në një park në Vilnius në korrik të vitit 2024, kohëmatësit brenda tyre kishin filluar tashmë numërimin mbrapsht. Gjatë dy ditëve në vijim, tre nga pakot morën flakë, njëra prej tyre vetëm pak çaste para se të ngarkohej në një avion transporti për në Londër. Po të kishte ndodhur pak më vonë, pasojat mund të kishin qenë katastrofike.
Në gusht të atij viti, Suranovas u arrestua dhe u akuzua se kishte kryer një akt terrorizmi në emër të inteligjencës ushtarake ruse, GRU. Deri tani, 22 persona janë arrestuar në Lituani dhe Poloni pas një hetimi ndërkombëtar ku morën pjesë edhe oficerë britanikë të kundërterrorizmit. Hetimi arriti në përfundimin se operacioni ishte organizuar nga Rusia, një akuzë që Moska e ka mohuar vazhdimisht. Kjo është hera e parë që dikush i përfshirë në këtë komplot me pako flet publikisht.
Vitin e kaluar, unë u shkrova disa prej të dyshuarve në burg, si pjesë e një hetimi tim për një seri aktesh sabotimi në Evropë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Këto përfshijnë zjarrvënie, daljen e trenave nga shinat dhe edhe këtë plan me pako. Suranovas më u përgjigj me një letër të gjatë dhe, pasi u lirua së fundmi nga paraburgimi, pranoi të takohej.
Qëllimi i Rusisë
Rrëfimi i tij, së bashku me dokumentet e shumta të çështjes që ka parë BBC dhe burime të tjera, japin një pamje të rrallë të një plani të pazakontë që kishte në shënjestër Mbretërinë e Bashkuar dhe disa vende të tjera. Qëllimi duket se ishte të dobësohej mbështetja për Kievin. Ato tregojnë gjithashtu se si Rusia po rekruton njerëz brenda Evropës për sulme gjithnjë e më serioze.
“Unë nuk do ta quaja një luftë në hije. Mendoj se kjo është agresion i drejtpërdrejtë ndaj vendeve tona”, paralajmëron Vilmantas Vitkauskas, kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave në Lituani. “Ky është një mesazh i qartë: ata që mbështesin Ukrainën do të goditen nga rusët. Mendoj se situata është shumë e rrezikshme dhe jemi shumë pranë skenarëve ku shumë njerëz mund të vuajnë”.
Herën e parë që Suranovas u përpoq të merrte pakot - nga një apartament i marrë me qira përmes Airbnb në Vilnius, ai nuk arriti ta gjente banesën. Përdorimi i njerëzve të zakonshëm, të papërgatitur, si ndërmjetës - siç thotë një ish-diplomat evropian në Rusi - krijon “një nivel të madh pasigurie dhe shpesh edhe paaftësie”. Megjithatë, tre javë më vonë, puna iu ofrua përsëri.
Suranovas i tregoi BBC-së tregoi se ishte punësuar nga një i njohur i vjetër në Rusi, i njohur vetëm me inicialet H.K., i cili komunikonte me të përmes aplikacionit Telegram. Udhëzimet e tij, shumë prej të cilave i ka parë vetë gazetari i BBC-së, ishin që të merrte kutitë dhe t’i dërgonte në adresa në Londër, Birmingham dhe Varshavë duke përdorur kompanitë e dërgesave DHL dhe DPD.
Hetimi i policisë tregon se ai ishte hallka e fundit në një zinxhir të gjatë njerëzish, i koordinuar nga distanca nga Rusia. Çdo person kishte një detyrë të caktuar: disa sillnin fshehurazi pajisjet e ndezjes në Bashkimin Evropian, të tjerë siguronin makina apo ndihma të tjera. Duket se disa prej tyre nuk e dinin të gjithë planin.
Ish-ministrja e Mbrojtjes së Lituanisë, Dovile Sakaliene, thotë se kjo është mënyra tipike e veprimit të Rusisë, e menduar për ta mohuar përgjegjësinë.
“Sapo njerëzit që kryejnë veprimet janë sa më larg atyre që i urdhërojnë… dhe sa më pak të informuar të jenë pjesëmarrësit, aq më e vështirë bëhet hetimi”, thotë ajo.
Megjithatë, hetuesit kanë identifikuar disa persona që dyshohet se e kanë koordinuar operacionin nga Rusia. Njëri prej tyre, i njohur me pseudonimin “Warrior”, besohet se ka organizuar edhe një sulm me zjarr ndaj një dyqani Ikea në Vilnius në maj 2024.
Në ditën e re të caktuar për dërgimin e pakove, H.K. e përshëndeti Suranovasin me një mesazh të gëzuar dhe i tha se po i transferonte rreth 500 euro për shpenzimet e postës, në kriptovalutë. Pastaj i dërgoi një fotografi të një sheshi në qendër të Vilniusit. “Njeriu” do ta takonte aty me pakot, shkroi ai. Suranovas dukej i pasigurt.
“Herën tjetër le t’i dërgojnë vetë në postë. Takime të tilla nuk janë për mua”, shkroi ai.
“Mos u shqetëso, ai është njeri neutral. Nuk ka asgjë të paligjshme”, e siguroi HK.
Ndërkohë, në një pjesë tjetër të qytetit, një i ri ukrainas, Vladislav Derkavets, po aktivizonte katër pajisjet ndezëse, duke pirë cigare njëra pas tjetrës për të qetësuar nervat. Ai është arrestuar më vonë. Dokumentet e çështjes tregojnë se edhe ai merrte udhëzime në Telegram nga personi i quajtur “Warrior”.
Pasi vendosi kohëmatësit, Derkavets u udhëzua të pastronte çdo gjë që kishte prekur, për të mos lënë gjurmë. Pastaj vendosi jastëkët e masazhit në kuti së bashku me tubat me lëndën shpërthyese, si dhe disa palë çorape kompresuese dhe vibratorë - ndoshta për të krijuar përshtypjen e një pakete të zakonshme. Pakot tani ishin gati për t’iu dorëzuar Suranovasit.
“Unë nuk jam spiun”
Kur u takua me gazetarin e BBC-së në qendër të Vilniusit, Suranovas kishte një byzylyk elektronik në këmbë. Pas 18 muajsh në paraburgim, ai tani është nën “mbikëqyrje intensive” dhe lejohet të dalë nga shtëpia vetëm disa orë në ditë deri në ditën e gjyqit.
I lindur në Lituaninë e kohës sovjetike, 53-vjeçari - i gjatë, trupmadh dhe shumë llafazan – thotë se është me origjinë ruse. Biseduan në rusisht, që është gjuha e tij e parë.
Ai pranon se i ka dërguar pakot - kamerat e sigurisë e kanë filmuar në zyrat e DHL dhe DPD por këmbëngul se nuk kishte asnjë ide për pajisjet e fshehura brenda tyre.
“Unë nuk do të kisha pranuar kurrë diçka të tillë, sepse është e tmerrshme”, tha ai. “Më përdorën.”
Kur u arrestua nga policia e armatosur, Suranovas ishte zyrtarisht i papunë. Por ai thotë se prej vitesh shiste makina për klientë në Bjellorusi dhe Rusi dhe se merrej edhe me dërgesa të tjera anësore.
“Njerëzit më njihnin”, thotë ai. “Kështu që i ndihmoja… kundrejt një pagese”.
Ai përmendi rroba dhe pajisje elektronike, por nuk dha shumë detaje.
Sipas tij, kështu u njoh për herë të parë online me H.K -në, por pretendon se nuk e di emrin e tij të vërtetë.
“Ne i themi njëri-tjetrit ‘vëlla’ ose ‘shok’,” tha ai. Dukej pak i nervozuar. Në një moment shtoi: “Ai e di ku jetoj”.
Hetuesit besojnë se H.K. është moldav dhe jeton në Krasnodar, në jug të Rusisë, edhe pse identiteti i tij nuk është bërë publik. Ky është i njëjti qytet ku mendohet se ndodhet edhe “Warrior”.
I pyetur për akuzat në këtë rast, ambasada ruse në Londër tha se nuk ka “asnjë provë të besueshme” që Moska është përfshirë në operacione sabotimi dhe i quajti këto pretendime një “narrativë antiruse”.
Suranovas e quan luftën në Ukrainë “idiotike” dhe thotë se nuk e pëlqen Vladimir Putinin.
Por ai këmbëngul më së shumti për një gjë: se nuk do të pranonte kurrë me vetëdije të merrej me eksplozivë.
“As për një milion dollarë,” tha ai. “Asnjë shumë parash nuk e kompenson humbjen e lirisë”.
Një i afërm i tij më tregoi se në fillim kishin shpërthyer në “të qeshura histerike” kur dëgjuan se ai akuzohej për terrorizëm. Pastaj erdhi tronditja.
“Ai është thjesht një tregtar që blen dhe shet gjëra”, thanë ata. “Kjo është shumë e frikshme”.
Megjithatë, Suranovas ka edhe një të kaluar kriminale. Ai vetë e përmendi këtë, por gjithmonë duke minimizuar rolin e tij. Që nga viti 2022 është në liri me kusht për një akuzë mashtrimi në Poloni, lidhur me një skemë piramidale me lidhje në Rusi. Ndërsa në vitin 2016 u dënua në Danimarkë për përpjekje për të marrë bizhuteri duke përdorur karta krediti të vjedhura. Ai këmbëngul se ishte vetëm shofer, por gjykatësi nuk e besoi dhe e dënoi me 18 muaj burg.
Gazetari i tregoi se puna e tij në aktivitete të dyshimta dhe problemet me paratë mund ta kishin bërë një kandidat ideal për sabotime me pagesë për Rusinë.
“Nuk kam qenë pjesë e kësaj, nuk punoj për GRU-në”, u përgjigj ai me nervozizëm. “Unë nuk jam spiun”.
Ishte një ditë e nxehtë vere kur gruaja e tij e çoi me makinë në Vilnius për të marrë pakot. Ajo ndaloi pranë sheshit, ndërsa ai shkoi të priste në një stol nën disa pemë. Ndërkohë H.K vazhdonte t’i dërgonte udhëzime me mesazhe.
“Ai do të jetë me pantallona të shkurtra”, shkroi H.K. “Me katër kuti”.
Por takimi nuk shkoi mirë: njeriu erdhi me vonesë, e ngatërroi fjalëkalimin dhe madje bëri një fotografi të Suranovasit kur po largohej.
“Kjo duket shumë e dyshimtë”, shkroi Suranovas i zemëruar në një tjetër mesazh për H.K.
Ai këmbëngul se kishte kontrolluar disa herë që në dërgesë të mos kishte “asgjë të paligjshme apo të ndaluar”. Në bisedën që kam parë me H.K. ai e pyet drejtpërdrejt për këtë të paktën një herë. Por gjithashtu i thuhet të mos bëjë shumë pyetje:
“Atëherë gjithçka do të shkojë pa probleme”.
Suranovas kaloi rreth 40 minuta në zyrën e DHL pranë aeroportit të Vilniusit. Një punonjëse kontrolloi çdo send brenda kutive. Një tub kremi ishte çarë dhe ajo e mbylli përsëri me kujdes, pa e ditur se lëngu që po rridhte ishte një lëndë shpërthyese.
“Nuk kishte asgjë të pazakontë. Nuk kishte tela apo diçka që të dukej e dyshimtë”, thotë Suranovas.
Më pas, gruaja e tij e çoi me makinë te DPD për të dërguar dy pakot e tjera drejt Varshavës.
“Aty ka kamera kudo. Nëse do të bëja diçka të paligjshme, a nuk do të vija me makinë me qira apo i maskuar?” thotë ai.
Ai pranon se përdori një emër të rremë si dërgues, por thotë se e bëri këtë vetëm për të shmangur mesazhet e padëshiruara. Ai thekson se pagesën e bëri me kartën e tij bankare. Sipas tij, tani nuk mund të hyjë më në llogarinë e tij për ta provuar këtë.
Atë mbrëmje, pasi pakot u nisën, H.K. i shkroi se do të merrte edhe një bonus. Në total, Suranovas duket se u pagua rreth 280 euro.
Ai më tregoi gjithashtu se grupi kishte plane për të dërguar edhe më shumë pako.
“Ata më pyetën nëse mund të dërgoja tre ose katër çdo muaj”, thotë ai. Në fakt, ai kishte planifikuar të bënte një dërgesë tjetër në javën kur u arrestua.
Aftësia e Rusisë për të dërguar agjentë të saj të inteligjencës në Evropë u dobësua shumë pas helmimit në qytetin e Salisburyt në vitin 2018. Pas këtij rasti, Britania, Bashkimi Evropian dhe SHBA dëbuan shumë diplomatë dhe agjentë rusë nga vendet e tyre. Një ish-diplomat evropian thotë se kjo i dha një goditje të madhe rrjetit rus të spiunazhit në Evropë.
Të rekrutuarit, me histori kriminale
Pas kësaj, Moska filloi të rekrutojë njerëz brenda Evropës për të bërë punë të paligjshme, shpesh përmes ofertave të thjeshta pune në Telegram ose përmes njohjeve në rrjete kriminale. Sipas Elijah Glantz nga Royal United Services Institute, Rusia po përdor gjithnjë e më shumë krimin e organizuar për operacione të tilla.
Disa prej të përfshirëve kishin të kaluar kriminale: një person që dorëzoi pakot ishte dënuar për mashtrim, tjetri që siguronte makina ishte nën hetim për vjedhje, ndërsa një tjetër që merrej me eksplozivë kishte qenë në burg për përdhunim. Glantz thotë se grupet e krimit të organizuar nuk tregojnë kurrë të gjitha detajet e punës dhe personat e punësuar dinë shumë pak.
Më 20 korrik, pakoja e parë shpërtheu në aeroportin e Leipzigut, pakoja e dytë në një kamion të DPD pranë Varshavës, njëra nuk funksionoi, dhe e fundit shpërtheu në një magazinë të DHL në Birmingham. Askush nuk u lëndua, por dëmet materiale ishin të mëdha.
Në fillim incidentet nuk u bënë publike. Nga bisedat në Telegram shihet se organizatorët rusë nuk e dinin çfarë kishte ndodhur, dhe H.K. i kërkoi Suranovasit të kontaktonte DHL për të pyetur për një pako të bllokuar në Leipzig. Dërgesat e tjera vazhduan, disa me eksplozivë dhe disa pa, për të testuar rrugë të reja.
Hetuesit nuk janë të sigurt nëse qëllimi i Rusisë ishte të rrëzohej një avion, apo të krijohej frikë ndaj vendeve që ndihmojnë Ukrainën. Shtëpia e Bardhë kontaktoi Rusinë në nivel të lartë për të ndalur operacionet, duke paralajmëruar për pasoja.
Kur policia lituaneze arrestoi disa pjesëmarrës, gjeti edhe eksplozivë të fshehur në kanaçe ushqimi në një varrezë, dhe pjesë dronësh për t’i vendosur mbi to.
Në fund, Suranovas tha se besonte se plani ishte një test për diçka më të madhe: “Ishte mënyra për të treguar se mund të arrijnë shumë larg, të bëjnë shumë gjëra… dhe askush nuk do ta kuptojë”.