1.3 milionë raste të sëmundjeve akute gastrointestinale në SHBA shkaktohen çdo vit nga pirja e ujit të patrajtuar nga puset private. Puset e vjetra, të mirëmbajtura keq, janë veçanërisht të prekshme ndaj ujërave të përmbytjeve që hyjnë përmes hapjeve në krye.
Pas një stuhie të fortë shiu në Midwestern, që kishte dëmtuar mijëra shtëpi dhe biznese, shtëpia me fermë e Stefanie Johnsonit në Blandinsville, Illinois, nuk kishe ujë sigurt të pijshëm për gati dy muaj.
Uji i përmbytjeve u derdh në pusin e saj, duke e bërë ujin ngjyrë kafe me baltë, e duke e detyruar Johnsonin, bashkëshortin e saj e fëmijët e tyre të vegjël të përdornin furnizime të blera në dyqan. Edhe pas pastrimit të sedimentit, testimi gjeti baktere – përfshirë E.coli, e cila mund të shkaktojë diarre. Familja ziente ujë për të pirë e për të gatuar.
“Isha mjaft e rreptë me fëmijët”, ka treguar Johnson, e cila punon me një program privat të mbrojtjes së puseve në departamentin lokal të shëndetit. “E derdhja një shishe ujë në furçat e tyre të dhëmbëve”.
Megjithëse vlerësimet ndryshojnë, sipas studimit të kryer pjesërisht nga studiuesit e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, afërsisht 53 milionë banorë të SHBA-së – rreth 17% e popullsisë – mbështeten në puset private. Shumica jetojnë në zonat rurale. Mirëpo të tjerët janë në nënndarje pranë rajoneve të metrosë me rritje të shpejtë ose përtej mundësive të tubacioneve publike të ujit.
Teksa shumë puse private ofrojnë ujë të sigurt, mungesa e rregullimit dhe trajtimit të ofruar nga sistemet më të mëdha komunale mund t’i ekspozojë disa përdorues ndaj rreziqeve shëndetësore, nga bakteret dhe viruset deri te kimikatet e ndryshme.
Rreziqet rriten pas përmbytjeve ose reshjeve të mëdha, kur kanalizimet, papastërtitë, lëndët ushqyese si azoti dhe ndotës të tjerë, mund të depërtojnë në puse. Ekspertët kanë bërë të ditur se kërcënimi po rritet pasi ngrohja e klimës nxit stuhi shiu më intensive dhe uragane më të forta.
“Zonat që më parë nuk ishin prekur, tashmë janë përfshirë. Edhe zonat e reja po përmbyten”, ka bërë të ditur Kelsey Pieper, profesoreshë e inxhinierisë mjedisore në Universitetin Verilindor. “E kuptojmë që mjedisi po ndryshon, e ne po përpiqemi ta rrisim ndërgjegjësimin”.
Pieper është në mesin e shkencëtarëve që kryen testim dhe programe edukimi në zonat që prihen nga stuhitë. Pasi uragani “Harvey” kishte shkaktuar përmbytje të gjera përgjatë bregut të Teksasit në vitin 2017, mostra e më shumë se 8.800 puseve në 44 qarqe ka gjetur nivele mesatare të E. Colit gati tri herë më të larta se normalja, ka bërë të ditur Pieper.
Edhe mostrat e 108 puseve në Mississippi pas uraganit “Ida” në vitin 2021 kishin shkaktuar nivele të ngjashme në regjistrimet për E.Coli. Studimet e tjera kanë treguar nivele më të larta në Karolinën e Veriut pas uraganit “Florence” në vitin 2018.
Një vit më pas, reshjet e borës mbi mesataren dhe stuhia e marsit shkaktuan përmbytje në Nebraska. U thyen linjat dhe digat. Fremonti, qytet me më shumë se 25 mijë banorë, u shndërrua në ishull kur lumenjtë Platte dhe Elkhorn aty pranë u vërshuan.
Sistemi komunal vazhdoi të furnizonte me ujë të pijshëm, mirëpo disa puse private aty pranë u dëmtuan ose u kontaminuan. Ferma e Julie Hindmarsh u përmbyt për tri ditë, u deshën muaj për ta bërë përsëri të pijshëm ujin e pusit. Ndonjëherë, ekuipazhi i pastrimit vishte kostume mbrojtëse.
Rreziku i kontaminimit
Uji nëntokësor është shpesh burim më i pastër se furnizimet sipërfaqësore, ngaqë dheu mund të ketë rol mbrojtës, ka bërë të ditur Heather Murphy, epidemiologe në Universitetin e Guelphit, në Kanada. Mirëpo, ajo ka bërë të ditur se kjo mund t’u japë pronarëve të puseve ndjenjë të rreme sigurie, duke i bërë të heqin dorë nga testimi, mirëmbajtja dhe trajtimi.
“Ekziston një keqkuptim i madh kur thonë: “Është nën tokë, prandaj është i sigurt”, ka theksuar Murphy, e cila vlerëson se 1.3 milionë raste të sëmundjeve akute gastrointestinale në SHBA shkaktohen çdo vit nga pirja e ujit të patrajtuar nga puset private. Puset e vjetra, të mirëmbajtura keq janë veçanërisht të prekshme ndaj ujërave të përmbytjeve që hyjnë përmes hapjeve në krye. “Thjesht është ujë plot me baktere”, u shpreh Steven Wilson, ekspert pusesh në Universitetin e Illinoisit.
Jo gjithmonë duhet një përmbytje a uragan për t’i ndotur puset. Ndotja industriale mund t’i arrijë ato duke depërtuar në ujërat nëntokësore.
Rreth 1.000 puse rezidenciale në kontenë Kent të Miçiganit u ndotën për dekada me substanca toksike polifluoroalkil, ose PFAS, në llumrat e deponive nga kompania e këpucëve “Wolverine World Wide”. Ndotja, e zbuluar në vitin 2017, nxiti padi dhe marrëveshje prej 69.5 milionë dollarësh me shtetin që zgjeroi linjat e ujit të qytetit në shtëpitë e prekura.
Pak rregulla për puset
Gjersa shumë pronarë të puseve nuk e kanë mundësinë të lidhen me sistemin publik të ujit, të tjerët janë të kënaqur me ujin e pusit. Ata mund të favorizojnë shijen ose duan të shmangin faturat mujore dhe rregullat e qeverisë.
“Ajo që dëgjoj nga njerëzit është liria”, vuri në dukje Jesse Campbell, koordinator privat i puseve për Midwest Assistance Program Inc., i cili adreson nevojat e ujit rural.
Pronarët privatë të puseve janë përgjegjës për to. Ndërkohë që sistemet publike të ujit duhet t’i plotësojnë standardet federale të sigurisë, këto rregulla nuk zbatohen për puset që kanë më pak se 15 lidhje ose u shërbejnë më pak se 25 njerëzve.
Standardet shtetërore dhe lokale zakonisht përfshijnë vetëm ndërtimin dhe projektimin, megjithëse janë disa shtete që vendosin rregulla më të ashpra.
New Jersey kërkon testimin e cilësisë së ujit përpara shitjes së pronës me puse private. Rhode Island kërkon testim kur ndërtohen puse të reja dhe kur prona me një pus shitet.
Megjithëkëtë, shumë shtete mbështeten në shtrirjen publike dhe veprimet vullnetare për të mbrojtur përdoruesit privatë të puseve.
“Ka mungesë të përgjithshme edukimi”, ka treguar Campbell. Ai takohet me pronarët e puseve nga Montana në Misuri, duke ofruar inspektime dhe këshilla falas.
Shumë dëme mund të parandalohen nëse pronarët sigurohen që pjesa e sipërme e pusit t’i mbajë jashtë mbeturinat dhe që pompa të fiket përpara një stuhie për ta mbajtur jashtë përmbytjeve. Ekspertët rekomandojnë testimin pas përmbytjes dhe dekontaminimin e puseve me klor nëse konstatohet ndonjë problem.
Përktheu: Blerta Haxhiu