Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kongresi amerikan në krizë

Filimi i mandatit të ri të Kongresit supozohej të ishte një fitore e radhës për Partinë Republikane pasi mori kontrollin e Dhomës së Ulët pas zgjedhjeve të nëntorit. Presidenti demokrat i SHBA-së, Joe Biden, e ka quajtur dështimin e republikanëve “poshtërues”, derisa ish-presidenti republikan, Donald Trump, po vazhdon mbështetjen për McCarthyn

Washington, 4 janar (BBC) - Në një ditë drame politike që nuk është parë në Kongres për një shekull, udhëheqësi republikan, Kevin McCarthy, dështoi gjashtë herë në përpjekjen për t'u zgjedhur kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ka raportuar televizioni CNN në orët e vona të së mërkurës.

Dhoma e Përfaqësuesve mbeti pa kryetar të martën mbrëma - hera e parë që nga viti 1923 kongresistët nuk arritën të zgjidhnin një udhëheqës pas votimit të rundit të parë. Presidenti demokrat, i SHBA-së, Joe Biden, e ka quajtur të mërkurën dështimin e republikanëve “poshtërues”, derisa ish-presidenti republikan, Donald Trump, po vazhdon mbështetjen për McCarthyn.

Fillimi i mandatit të ri të Kongresit supozohej të ishte një fitore e radhës për Partinë Republikane pasi mori kontrollin e Dhomës së Ulët pas zgjedhjeve të nëntorit. Në vend të kësaj, McCarthy u përball me një rebelim brenda radhëve të tij dhe u bë histori sherri i të gjitha lëshimeve të gabuara.

Kongresmeni nga Kalifornia ka humbur gjashtë runde radhazi për kryetar deri më tani dhe është e paqartë se cila mund të jetë rruga e tij drejt fitores kur Dhoma të provojë gjithçka nga e para. Ata do të vazhdojnë të votojnë derisa dikush të fitojë shumicën.

Dhe edhe nëse McCarthy gjen një mënyrë, paralajmërojnë analistët, dilemat në foltoren e Dhomës së Përfaqësuesve do të shënojnë dy vjet të trazuar për republikanët e moderuar dhe djathtistët në luftë me njëri-tjetrin.

Republikanët fituan ngushtë kontrollin e Dhomës në nëntor, kështu që McCarthy kishte vetëm pak vota për të kursyer në përpjekjen e tij për t'u bërë kryetar. Kjo lejoi një grup konservatorësh të linjës së ashpër të bashkoheshin për të kundërshtuar emërimin e tij.

Përçarje kishte një kohë të gjatë, sipas vëzhguesve republikanë.

"Kevin McCarthy nuk ka bërë miq me segmente të caktuara të grupit parlamentar për një kohë, ai ka bërë shumë armiq", tha një lobist republikan, i cili kërkoi anonimitetin për të folur sinqerisht për votimin e së martës. “Ka njerëz që nuk e pëlqejnë për arsye politike, për arsye personale”.

McCarthy hyri në negociata me kundërshtarët e tij - të cilët e shohin si shumë të zakonshëm dhe të uritur për pushtet - duke ofruar lëshime për të fituar votën e tyre. Në një moment, ai raportohet se ra dakord të ndryshonte rregullat e Dhomës për ta bërë më të lehtë shkarkimin e një kryetari në detyrë, duke u dhënë kundërshtarëve të tij një kontroll të madh mbi pushtetin e tij.

"Fakti që ai po negocionte me republikanët e bëri atë të dukej shumë, shumë i dobët deri në pikën e dëshpërimit", tha lobisti republikan.

Kotësia e kësaj qasjeje u bë e qartë të martën.

Në gjashtë runde për dy ditë, McCarthy nuk arriti pragun e kërkuar prej 218 votash. Ndonëse republikanët kanë 222 vende, një bllok prej 19 republikanësh të së djathtës forcuan kundërshtim ndaj tij. Ata e kundërshtojnë McCarthy mbi baza ideologjike dhe personale, por shohin gjithashtu një mundësi për të shfrytëzuar shumicën e ngushtë të republikanëve për të detyruar lëshime të mëtejshme prej tij.

Ata "nuk do të tërhiqen kurrë", u tha gazetarëve të martën kongresisti Rob Good, republikan nga Virxhinia.

Në një nga momentet më dramatike të ditës, ata madje kandiduan Jim Jordanin për ta sfiduar atë, vetëm pak çaste pasi vetë Jordan kandidoi McCarthyn për kryetar.

Edhe pasi Jordan - i cili është një figurë udhëheqëse në grupin e partisë së djathtë të Lirisë - u kërkoi republikanëve që të "mblidhen rreth" McCarthyt në rundin e tretë të votimit, 20 republikanë votuan për Jordanin, duke i mohuar sërish fitoren McCarthyt.

Ndërkohë, demokratët qëndruan të bashkuar pas liderit të ri të partisë së tyre, përfaqësuesit Hakeem Jeffries nga New Yorku.

Disa nuk mund të mos ngacmonin publikisht homologët e tyre republikanë për pasditen e vështirë të partisë së tyre. Kongresisti Ruben Gallego nga Arizona shkroi në Twitter se demokratët "po shpërndanin kokoshkat" dhe si dëshmi përfshinte një foto në bufe.

Artikuj të ngjashëm