Ka kaluar dita e dytë që kur kanë nisur protestat e organizuara nga shoferët e kamionëve në Ottawa të Kanadasë kundër masave të rrepta të vendosura për këtë kategori vozitësish në kufi të këtij vendi, dhe po vazhdon me bllokimin e njëjtë të rrugëve të kryeqytetit kanadez.
Mijëra protestues iu bashkuan kësaj proteste të quajtur “Kolona e Lirisë”, teksa kaosi i shkaktuar nga demonstruesit është rritur.
Policia ka nisur hetimet pas disa incidenteve, pasi janë parë demonstrues duke shkelur mbi varrin e një ushtari të panjohur. Pamjet e shfaqura nga kjo protestë, ministrja e Mbrojtjes e Kanadasë, Anita Anand, i ka quajtur “përtej të dënueshme”.
Policia e Otavës ka njoftuar se janë duke u zhvilluar disa hetime për "përdhosjen" e një numri monumentesh në kryeqytet, si dhe për "sjellje kërcënuese, ilegale e frikësuese ndaj policisë dhe individëve të tjerë”, raporton BBC.
Këto protesta bënë që kryeministri Justin Trudeau dhe familja e tij të largohen nga shtëpia e tyre në Ottawa për arsye sigurie, të shtunën.
Ai i kishte quajtur protestuesit "një pakicë e vogël që nuk përfshinë gjithë shoqërinë" gjatë një konference për shtyp në fillim të kësaj jave.
Përveç Kanadasë, edhe Shtetet e Bashkuara së fundmi ka marrë vendim që shoferët e huaj të kamionëve duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit për të hyrë brenda territorit.